Vrojtimi i parë i gjelacit të vogël këmbëverdhë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

16

Vrojtohet për herë të parë gjelaci i vogël në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Ky vrojtim përfaqëson vrojtimin e tretë në Shqipëri të këtij lloji dhe vrojtimin e parë me më shumë se një individ.

Vrojtimi i parë daton në vitin 1993, ku 1 individ u pa në Vjosë-Nartë dhe është raportuar në një prej raporteve të WIWO. Vrojtimi i dytë u raportua nga ne në fund të nëntorit të vitit të kaluar në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë si dhe ky vrojtim i tretë me 5 individë i kësaj pranvere mban sërish autorësinë tonë.

Ky lloj shpendi folezon në pjesën veriore të globit, nga Norvegjia në Evropë deri në Ngushticën e Beringut në skajin më lindor të Rusisë dhe është një shpend tipik i Tundrës, ku ushqehet kryesisht me insekte dhe larvat e tyre por rastësisht edhe me ushqim bimor. Në vendin tonë, normalisht mund të haset në ligatinat bregdetare gjatë periudhës së kalimit por me sa duket edhe në atë dimërimit në prag të së cilës u has vitin e kaluar në Vjosë-Nartë.

Dimëron kryesisht në Afrikë dhe Azi, në zonat ekuatoriale dhe mbi ekuatoriale por pothuajse vetëm në hemisferën veriore. Megjithatë dimërimi në numër të vogël në Mesdhe dhe në Evropën Perëndimore është gjithashtu një dukuri e njohur./ Shpendët e Shqipërisë / Birds of Albania