Zakonet që duhet të ndiqni për të qenë jashtëzakonisht produktivë

18

Sukseset tona më të mëdha shpesh vijnë nga ndryshimet e vogla. Njerëzit produktivë kanë diҫka të përbashkët: një rutinë solide që përbëhet nga zakone të vogla, të cilat i ndihmojnë ata të kenë një mentalitet dhe mënyrë jetese të shëndetshme.

Për shumë njerëz të suksesshëm, nuk u desh shumë kohë që këto zakone të bëheshin pjesë e rutinës së tyre. Studimet kanë treguar se nevojiten afërsisht 21 ditë që një zakon të kthehet në sjellje normale. Këtu janë disa zakone që mund të filloni t’i praktikoni për t’u bërë më produktivë.

Vendosni një rutinë për mëngjesin

Mënyra më efektive për të qenë produktivë gjatë ditës është që të zgjoheni në të njëjtin orar çdo ditë, madje edhe gjatë fundjavave. Kjo e ndihmon trupin tuaj që të ruajë ritmin e tij biologjik.

Duke kryer disa rituale të vogla, si për shembull hapja e grilave sapo zgjoheni, trupi dhe mendja juaj do ta kuptojnë se është koha për të filluar punët e ditës. Gjithashtu, duhet të bëni pak stretching për disa minuta, përpara se të filloni të bëheni gati dhe më pas, duhet të rregulloni shtratin tuaj. Këto mund të duken si detyra të parëndësishme, por ato vendosin themelin për të qenë produktiv gjatë gjithë ditës.

Bëni një listë me detyrat e ditës

Një listë me prioritetet e ditës do t’ju ndihmonte për të vazhduar punën sipas një plani. Disa njerëz preferojnë ta bëjnë listën e tyre të detyrave sapo fillojnë ditën në mëngjes, ndërsa të tjerëve u pëlqen ta përgatisin atë çdo natë për t’u bërë gati për ditën tjetër. Secila nga këto mënyra ju ndihmon të vazhdoni punët sipas planit dhe të menaxhoni me efikasitet kohën dhe ngarkesën tuaj.

Një nga gjërat më stresuese gjatë një ditë pune mund të jenë email-et që vijnë pa pushim drejt adresës tuaj. Planifikimi i një kohe të caktuar gjatë ditës, e cila i dedikohet përgjigjes së email-eve dhe organizimit të takimeve, do t’ju ndihmonte që të mos mbingarkoheni.

Në fund të ditës, mund të shpenzoni rreth dhjetë minuta për të organizuar email-et në dosje të tilla si “Për t’u parë” ose “Në Pritje”, duke u siguruar që inbox-i juaj është pastruar. Kjo do t’ju ndihmojë të mbani një ekuilibër të shëndetshëm punë-jetë, në një kohë kur ky kufi mund të shkelet lehtësisht.

Mbani një ditar

Shkrimi dhe organizimi i mendimeve tuaja mund t’ju ndihmojë të gjurmoni dhe të arrini qëllimet që vendosni. Ju madje duhet të shkruani edhe arritjet tuaja, sado të vogla qofshin ato, për t’u ndjerë të motivuar për të ecur përpara.

Në ditar, ju gjithashtu mund të ndiqni hap pas hapi ecurinë e qëllimeve tuaja më të mëdha dhe të mbani shënim detyrat e vogla që duhet të përmbushni për t’i arritur ato. Ky proces do t’ju ndihmojë të reflektoni dhe ka dëshmuar se ndihmon në përmirësimin e memories dhe të funksionimit të trurit.

Bëni një pushim

Cilado qoftë gjëja për të cilën po punoni, ajo nuk duhet t’ju marrë çdo grimcë energjie që keni. Bëni një pushim në të njëjtën kohë çdo ditë, qoftë edhe vetëm dhjetë minuta. Pas pushimit, do të vijoni punën tuaj më mendjemprehtë dhe më të lumtur, me një produktivitet më të madh se sa po të mos e kishit bërë pushimin.

Shfrytëzoni rreth pesëmbëdhjetë deri në njëzet minuta të ditës tuaj për të mësuar diçka të re. Kjo mund të arrihet duke parë një video, duke dëgjuar një podcast, duke lexuar një artikull ose një kapitull të një libri, ose duke studiuar për një aftësi apo për një gjuhe të re. Nuk është nevoja që të bëheni ekspert brenda natës në këtë gjë të re që po përpiqeni të mësoni, por stimulimi i vazhdueshëm i trurit tuaj do t’ju bëjë më mendjemprehtë.

Pastrimi dhe organizimi për të nesërmen

Pas një dite të gjatë, gjëja e fundit që ne duam të bëjmë është pastrimi. Megjithatë, rregullimi i shtëpisë dhe përgatitja për të nesërmen mund të parandalojë stresin. Kjo rutinë e përditshme mund t’ju ndihmojë që të mos jetë nevoja të kaloni një pasdite të tërë gjatë fundjavës duke pastruar, për shkak se i keni lënë punët e shtëpisë pas dore gjithë javën. Pastrimi i bufesë, larja e rrobave dhe ndarja e tyre nëpër vende mund t’ju bëjnë të ndiheni më të sigurt për ditën e nesërme.

Vendosni një rutinë për natën

Ashtu si gjatë zgjimit, është e rëndësishme të keni edhe një rutinë para gjumit. Përcaktoni një kohë për të filluar me mbylljen e ditës. Bëni dush, lexoni një libër, shikoni një shfaqje të bukur ose dëgjoni muzikë të këndshme – çfarëdo qoftë ajo që do t’ju relaksonte gjatë natës. Një orë para gjumit, ulni temperaturën dhe përdorni ndriçim të butë për të mundësuar një pushim më të mirë gjatë natës./ Entrepreuner