Zbulojeni Shqipërinë, pastaj do kuptoni se s’ja vlen të ikni jashtështetit për më mirë

502

Nga Laidi Ferruni

Dje postova një foto të një banjo termale në kanionet e Holtes në Gramsh dhe po shprehesha për faktin që ata që duan të largohen, duhet të shohin të pakten 5% të mrekullive që ka Shqipëria dhe pastaj të vendosin.

Shumë vetë bëjnë lidhjen e largimit me mungesën ekonomike të vëndit dhe shumë kanë të drejtë. Shumë vetë mund të gjejnë benefite të mira nga largimi në vënde të tjera, por për ata/ato që janë në mëdyshje unë them, zbuloni njëherë Shqipërinë… dhe kur them zbuloni Shqipërinë, them zbuloni edhe mundësitë që ajo ka.

Kjo pishina që shihni në foto është e ndërtuar në hyrje të kanioneve të Holtes dhe funksionon duke marrë ujin natyral termal që buron nga malet. Pronari shpeshherë e ofronte pishinën falas, mjafton të uleshe dhe të porosisje një kafe për solidaritet. Nuk e njoh fare përsonin që e ka ndërtuar këtë infrastrukturë në një vënd kaq të mrekullueshëm, por ajo që më bën përshtypje është zgjuarsia për të krijuar diçka të tillë në një vend që shumicës nuk do t’i shkonte në mendje fare.

Dua të them që Shqipëria ka shumë më shumë mundësi seç mendojnë shumica por për të qenë të aftë për t’i identifikuar këto mundësi duhet eksperiencë dhe edukim i mirë. Për shumë vetë që komentuan tek postimi i kaluar, ajo që duhet kuptuar është që jetesa në vënde të huaja nuk është aq e lehtë saç mund të mendohet në rradhë të parë.

Në Irlandë ku kam shpenzuar shumë kohë, edhe po të bëjë 3000 Euro në muaj, do të tepronin shumë pak në fund sepse vetëm qeraja e shtëpisë mund të shkonte 1500 Euro në periferi.

Shqipëria vërtet nuk ka shumë mundësi ekonomike por ka shumë mundësi për t’u zhvilluar, pikërisht për faktin që është vënd në zhvillim. Sikur vetëm një program edukimi me standarte të larta për programim ose marketing online të krijohej dhe të jepej falas, shumica e njerëzve do gjenin punë në distancë pa problem fare…

Kur zhvilloja kurse para disa vitesh i thoja pjesëmarrësve që dhe sikur gjithë Shqipëria të mësonte marketing online, prap do kishte vënd për të gjithë, sepse bota është shumë e madhe. Akoma besoj në këtë fakt. Ajo që duhet të kuptojmë është që jemi vënd shumë i vogël dhe duke qenë i tillë mund të ndryshojmë shumë shpejt nëse kemi vullnet. Po a kemi vullnet??