1000 kredi të buta për familjet e reja/Miratohen kriteret dhe procedurat e thjeshtëzuara

24

Pas aplikimit me sukses të dy thirrjeve të mëparshme për kredi të zbutura për shtëpi, bashkia e Tiranës do të hapë sërish thirrjen e tretë për familjet e reja që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë sipas normave të interesave të tregut.

Programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi, e ku përparësi në përzgjedhje kanë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 35 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian si dhe gra kryefamiljare ose gra të dhunuara.  Gjithsesi, në  kriteret e miratuara sot nga bashkia e Tiranës, nuk do të përjashtohen as ata individë a familje që nuk bëjnë pjesë në këto familje. Çdo individ/familje mund t’i drejtohet të trija bankave për të marrë ofertën që i përshtatet më mirë kushteve të tij/saja dhe në pas të vijojë me bankën që përzgjedh vetë.

Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë me interes fiks për pjesën që i takon qytetarit deri në 3 %, ndërsa luhatjet mbi këtë normë interesi janë në ngarkim të buxhetit të shtetit. Kontrata e kredisë do të jetë në varësi të moshës së aplikantit dhe do të përcaktohet rast pas rasti nga bankat. Konkretisht, Banka Kombëtare Tregtare do të ofrojë afatin maksimal të kredisë për një periudhë 420 muaj dhe Bankat Intesa Sanpaolo dhe Raiffeisen, për një periudhë 360 muaj.

Si mund të aplikohet për të përfituar kredi të butë

Aplikimi për të përfituar nga programi i subvencionimit të interesave të kredisë, i financuar me fondet e buxhetit të shtetit do të bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga ky program. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që plotësojnë kushtet për t’u trajtuar me këtë program.

Faza e parë e aplikimit:

Të drejtën për aplikim për përfitimin nga programi social i strehimit “Subvencionimi i interesave të kredisë”, i financuar me fondet e buxhetit të shtetit, e kanë individët që kanë mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kujdestarët ligjorë për rastet e personave të vendosur në kujdestari ligjore, për shkak të heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar dhe familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile të Bashkisë Tiranë, të cilat, në momentin e aplikimit, plotësojnë kushtet.

Individët apo familjet që kanë kaluar fazën e parë, kanë 30 ditë kohë për të dorëzuar dokumentacionin e parashikuar në ligj.

Përveç shtimit të numrit të bankave që do të ofrojnë këtë shërbim, Bashkia e Tiranës ka lehtësuar edhe procedurën duke lehtësuar plotësimin e dokumentacionit. Tashmë do të jetë institucioni që do të merret me plotësimin e dosjes. Kështu, familjet përfituese pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Strehimit, depozitojnë pranë Njësisë Administrative deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të. Njësia Administrative/Lagjja plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe dokumentacionin që sipas akteve në fuqi duhet të depozitohen kryesisht nga aplikanti dhe ia përcjell ato në Bashkinë Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social. Në të kundërt, nëse aplikanti/familjet nuk dorëzojnë apo refuzojnë të firmosin deklaratën e parashikuar si më lart, Njësitë Administrative/Lagjet shkarkohen nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Në këtë rast, individët do të dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

Të ardhurat maksimale dhe minimale të familjeve

Niveli maksimal i të ardhurave të familjeve, sipas strukturës së apartamentit që ato përfitojnë, jepen në tabelat bashkëlidhur për çdo bashki. Mos plotësimi i kushteve të mësipërme përbën kriter skualifikues.

Kohëzgjatja maksimale e kredisë është në vartësi të moshës së aplikantit dhe përcaktohet rast pas rasti nga banka që do të përzgjedhë subjekti. Numri i përgjithshëm i përfituesve të cilët do të mbështeten financiarisht nuk do të tejkalojë 1000 (një) mijë familje, kjo bazuar në shkresën me nr. Prot. 18627, datë 17.10.2019, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. 

KRITERET E PIKËZIMIT Pikët
1.1 KUSHTET E STREHIMIT 18
A Nuk disponon apartament në pronësi. 4
B Banojnë në banesa në rrezik shembjeje, kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore. 2
C Banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi. 2
Ç Familjet ose individët që humbasin banesën e tyre, si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor. 4
D Banojnë në banesa që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike. 6
1.2 KUSHTET FAMILJARE 30
A Familje një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë ku përfshihen dhe vajzat nëna. 6
B Përbëhen nga familje që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension. 5
C Familjet me më shumë se katër fëmijë. 4
Ç Çifte të reja/të rinj me moshë jo më të madhe se 35 vjeç.Familje te reja ku çifti bashkëshortëve ka moshë të përbashkët totale deri 70 vjeç. 15
1.3 KUSHTET SOCIALE 40
A Ka statusin e jetimit dhe moshë deri në 30 vjeç. 6
B Ka mbetur i pastrehë për shkak të lirimit të banesës ish-pronarëve. 5
C Emigrant i rikthyer / punëtor emigrant /Azilkërkues 1
Ç Familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë. 4
D Punonjës i Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH)/Punonjës i RENEA-s /Punonjës i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi… 2
DH Viktimë e dhunës në familje/Viktimë e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit 8
E Anëtar i minoritetit rom/egjiptian 8
F I mitur në konflikt me ligjin 1
G Komuniteti LGBTI 3
GJ Anëtar i familjes që trajtohet me ndihmë ekonomike 2
1.4 KUSHTET EKONOMIKE 12
A Të ardhura nën 70% të të ardhurave mesatare 5
B Të ardhura deri 70% – 100% të të ardhurave mesatare 4
C Të ardhura 100% – 120% të të ardhurave mesatare 3

 

Të ardhurat e familjeve

Struktura familjare Struktura apartamentit Kufiri maximal i kredisë/familje Shpenzimet INSTAT 2017 referuar shkresës së MF Niveli Maximal i të ardhurave  sipas shkronjës a të pikë 45 neni 2 ligji 22/2018 Niveli minimal i të ardhurave
1- 2 Garsonier 4,456,850 76.898 92.277 31,317
3 1+1 5,348,220 92.130 110.556 37,581
4 2+1 6,239,590 95.295 114.354 43,844
5 – 6 3+1 7,576,645 94.918 113.901 53,239