500 mijë persona do marrin para në dorë, 36 milionë dollarë për pensionet/ Rritja e çmimeve, ja si do mbështeten shtresat në nevojë

270

Pensionistët dhe familjet në nevojë do mbështen me para për të përballuar rritjen e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë. Qeveria ka ndërmarrë 7 masa. Konkretisht:

1. Do të derdhë menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

2. Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi,  qeveria do të kompensojë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus.

Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për:

-pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës  minimale,

-pensionistët e invaliditetit,

-pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift)

-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë.

4 – Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

5 – Do të sjellë 2 muaj përpara, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1,5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.

6- Do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

7- Qeveria vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.