70-vjeçarja Hate Ora ruan traditën kuksiane të punimit të sixhadeve

3

Artizanati, kryesisht në thurjen e sixhades, është një traditë e vjetër kuksiane të cilën me shumë mund gratë dhe vajzat po e trashëgojnë brez pas brezi.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër sjell shembullin e 70-vjeçares kuksiane Hate Ora e cila është ndër të paktat gra artizane të spikatura që ka arritur të mbajë gjallë traditën e prodhimit artizanal të qilimave dhe sixhadeve.

Hatja, një grua trupvogël, e shkathët dhe e zgjuar, prej 40 vitesh ushqen të njëjtin pasion për këtë zanat.

Ajo, tregon se profesionin e artizanes e ka përqafuar që në vogëli, nga stërgjyshja, gjyshja e hallat tek i shihte që përgatisnin pajën edhe pse ëndërr e kishte të bëhej arkitekte.

Pavarësisht vështirësive të kohës, së bashku me gra të tjera artizane ajo arriti të ruante traditën dhe emrin e artizaneve.

Për 12 vite me radhë, Hatja do të spikaste si mjeshtre në Ndërmarrjen Artistike të Kukësit, në vitet ’80, mes 1200 grave dhe vajzave të angazhuara asokohe në prodhimin e sixhadeve në vegë të cilat eksportoheshin për tregje të njohura të Evropës.

Në vitet ’90, me mbylljen e Ndërmarrjes së Artizanatit, Hatja do të hapte punishten e saj “Artizanale Ora”, ku do të kultivonte këtë traditë duke mbështetur edhe dy gra të tjera dhe njëkohësisht duke ofruar edhe kurse aftësimi për ato që duan të ruajnë traditën kuksiane.

Porositë që ajo merr janë sixhade dhe qilima për të cilat ajo arrin të endë dhe të zbërthejë shpejt dhe saktë modele të vështira me figura gjeometrike dhe motive etnografike të zonës së Kukësit dhe jo vetëm, të cilat i realizon me një saktësi të admirueshme, në skicimin e një letre me milimetra duke katrorizuar me detaje nyjet e punimit, ku një katror përkon me një nyje. Materialet që ajo përdor janë fijet e holla të leshit të ngjyrosur shumëngjyrësh dhe pambukut të Radomirës.

Zanatin, Hatja e trashëgoi tek vajza, Mikaela dhe mbesat e saj, të cilat punojnë bashkërisht për realizimin e punëve të ndryshme sipas porosisë në të gjithë botën, si një amanet për të trashëguar punimin e sixhades, një nga elementët unikë dhe të pazëvendësueshëm që mbart pasionin e grave kuksiane.

/ata.gov.al