Ambiente sportive të reja për 1169 të rinjtë e tre shkollave në Korçë

41

“Ne kishim më shumë se dy vjet që e kërkonim një palestër si kjo dhe sot jemi shumë të lumtur që e kemi,”- shprehet Elisjana, maturantja që është edhe presidente e Qeverisë së Nxënësve në gjimnazin e saj.

Elisjana bashkë me 1169 nxënës të tjerë kanë përfituar nga rehabilitimi i ambienteve të brendshme sportive në shkollat e tyre.

Fëmijët dhe adoleshentët e kishin ndjerë dhe shprehur prej kohësh mungesën e ambienteve sportive të përshtatshme në shkollat e tyre.

“Dëshirë mund të kesh shumë për sport, por nësë nuk ke kushtet e duhura nuk e bën dot. Duke qenë se jemi shumë të ngarkuar me mësime dhe përgatitje për provime, mezi presim orën e fiskulturës sepse realisht çlodhemi, – thotë Elisjana, shumë e lumtur që më në fund shkolla e saj ka mjetet dhe aksesorët e nevojshëm për të zhvilluar orën e edukimit fizik.

Nga rregullimi i ambienteve sportive nuk kanë përfituar vetëm të rinjtë, por është konsideruar si një lehtësi edhe për mësuesit e profilit të cilët na tregojnë përfitimet që sjell sporti tek të rinjtë. Mësuese Luli së bashku me dy kolegë të tjerë të edukimit fizik shprehet se ato mund të flasin një ditë të tërë për përfitimet e sportit tek çdo individ, e veçanërisht tek fëmijët.

 “Unë i përkas brezit që në shkollën e lartë bënim 9 lëndë mjekësore, përpos lëndëve të tjera, që do të thotë, mësuesi i edukimit fizik ka rol shumë të rëndësishëm për edukimin dhe parandalimin e fenomeneve që shkaktojnë probleme të shëndetit mendor e fizik të fëmijëve. Ju them gjithmonë nxënësve, para provimeve shumë të rëndësishme të merren më sport: mjafton vetëm 30 minuta ecje për të rritur oksigjenimin në gjak dhe pasurimi i gjakut me oskigjen dhe ulja e dioksidit të karbonit i bën më të kthjellët, më të mprehtë,” – argumenton mësuesja.

Sporti po konsiderohet sot si një nga përgjigjet më të mira për shëndetin mendor, ashtu edhe për aktivitetin fizik. Në kohën kur problemet me sjelljen dhe shëndetin mendor po bien si këmbanë alarmi, specialistët e sugjerojnë sportin si një nga metodat më efikase që jep rezultate të dukshme.

Ndjehemi më të relaksuar pas orës së edukimit fizik, – mbështet argumentin e mësuese Lulit, nxënësja e saj Elisjana, – “Inati na bie, ulen gjakrat, sikur kthjellohemi dhe na rritet përqendrimi për mësimet. Unë e kam patur pak problem pranimin e humbjes dhe ushtrimi i sporteve më ka mësuar dhe të kem qasjen e duhur ndaj sfidave por dhe ndaj fitores dhe kjo është shumë e rëndësishme për gjeneratën tonë”.

World Vision Albania ka mbështetur në rehabilitim të klasave sportive, të cilat i ndihmojnë nxënësit tashmë të ushtrojnë shumë disiplina sportive që më parë nuk ishte e mundur t’i bënin siç është: gjimnastika ritmike, gjimnastika aerobike, cirkuite lëvizore, stafetë gjimnastikore, elasticitet, akrobaci etj.

“E ashtuquajtura shkalla suedeze na ndihmon gjithashtu në forcimin e muskujve të barkut dhe biçikleta është një element shumë i rëndësishëm që rrit gjithashtu oksigjenimin në mungesë të ecjes jashtë në natyre sepse çfarë ndodh është që nga pedalimi rritet volumi i frymëmarrjes dhe frymënxjerres në mushkëri dhe si pasojë rritet oksigjenimi,”- vijon zyshë Luli.

Në përfundim, mësuese Luli na kujton se: Fitnesi nuk është thjeshtë një mënyrë sporti për t’u ushtruar, por është gjendje, dhe kjo gjendje na ndihmon që të përballojmë ngarkesat emocionale, fizike e psikologjike që marrim gjatë ditës.

Në kuadër të kontributit për shëndetin fizik, psiko-emocional, konjitiv, social dhe shpirtëror të cilat ndikojnë tek të rinjtë në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive në familje, komunitet, e më gjerë, World Vision Albania ka ndërrmarë nismën sportive 1Goal4Impact ku janë angazhuar 1143 fëmijë dhe adoleshentë, në 108 shkolla në 8 zona të Shqipërisë.