Arkiva shqiptare pasurohet me mbi 1 milion dokumente nga arkiva osmane

22

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është pasuruar me mbi 1 milion njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi prej institucionit homolog, Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll.

Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor. Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe, etj., dhe dokumente të karakterit religjoz.