BBC Travel/ Bimët e maleve shqiptare na bëjnë të dukemi të rinj

76

Udhëtimi im nga Kukësi drejt maleve nisi me nxitimin për të kapur furgonin që po nisej, e fillon reportazhin e saj për BBC Travel Elizabeth Gowing.

“Furgoni ishte mbushur plot, me pasagjerë dhe bagazhet e tyre”, thotë Goëing, e habitur nga bagazhet e tyre.

“Kureshtjen ma shoi një grua, që më vonë u prezantua thjesht si “gruaja e Naimit”, e cila i tregoi gjithë furgonit se çfarë kishte në gjithë atë dëng bimësh që ajo po çonte në shtëpi nga Kukësi.

Doli se dëngu ishte i mbushur me Primula veris, një nga bimët e shumta mjekësore të egra që mblidhen në Shqipëri.

“Domethënë, ti mbledh lule?”, e pyeta.

I gjithë furgoni m’u përgjigj: “Po!”

Sapo u shfaq interesimi im, udhëtimi u shndërrua në një mësim me ilustrime.

Po mësoja një mënyrë të re për të kuptuar jetën në fshat.

Të gjitha këto lule mblidheshin dhe çoheshin në Kukës për t’u shitur për eksport.

Stacioni i fundit i furgonit tonë ishte një fshat i quajtur Çajë. Po shkoja në një fshat të quajtur “çaj”.

Kjo zonë është si pjesa më e madhe e Shqipërisë, 77% malore dhe përfiton nga klima mesdhetare dhe nga toka, që ka pak kontaminim me kimikate.

Të gjithë këta faktorë i bëjnë bimët e egra të Shqipërisë shumë të kërkuara jashtë.

Në bujtinën Musaj të Donika Musajit, shpresoja të më jepnin çaj mali, pija e verdhë që vjen nga zierja e bimës Sideritis syriaca, por më ofruan një çaj më të errët të bërë nga boronica të thara, një pije plot antioksidantë dhe me një shije të lehtë myshku.

Kjo familje është vetëm njëra nga më tepër se 100 mijë familje shqiptare të angazhuara me kultivimin apo mbledhjen e bimë mjekësore dhe aromatike, në të gjithë vendin i bie një në shtatë shtëpi është e lidhur me këtë sektor që nxjerr deri në 28 milionë dollarë në eksporte.

Midis 2018 e 2019, u eksportuan deri në 12 mijë tonë lule gishti, boronica e bimë të tjera të kërkuara nga gastronomia e huaj dhe tregjet farmaceutikë.

Anila Aliaj nga OJQ-ja Connecting Natural Values with People (CNVP – Të lidhim vlerat e natyrës me njerëzit), që ka një projekt për zhvillimin e këtij sektori me financim nga Ambasada suedeze dhe që aktualisht punon me mbi 1 000 fermerë, më shpjegoi diçka më tepër.

“Ky sektor u jep mundësinë grave të kenë të ardhura dhe të bëhen ekonomikisht të pavarura nga burrat e tyre”, më thotë.

“Por gratë nuk duhet të jenë thjesht punëtore që mbledhin bimët, por edhe vendimmarrëse në tregtimin e produktit”, shton Aliaj.

Aishe Ivani, infermierja e fshatit Çajë, tregon se si e ndihmojnë bimët mjekësore komunitetin e saj për pavarësi.

Edhe ajo shkon për të mbledhur bimë gjatë kohës së lirë dhe thotë se “me qasjen ndaj natyrës që na ka bekuar Zoti jemi doktorë të vetes”.

Për ata nga ne që e kemi më të lehtë të shtojmë në regjimin e mirëqenies diçka nga sirtarët e banjos sesa nga dollapi i kuzhinës, bimët malore të Shqipërisë ofrojnë një tjetër shpresë.

Vaji i helikrisumit, e quajtur si lulja e përjetshme, është një përbërës tjetër për kremrat e natës dhe produktet rigjeneruese të fytyrës.

Edhe kjo bimë rritet në ajrin e pastër të malit dhe përdoret nga kompanitë kozmetike kudo në botë për vlerat e saj në ruajtjen e tonalitetit të fytyrës.

Teksa vazhdova edhe më tej në veriun e Shqipërisë, anës rrugës takova një tjetër grup grash që mblidhnin gjethe dhe i pyeta nëse mund t’i fotografoja.

“Po, por më bëj të dukem bukur”, tha me shaka njëra prej tyre.

Duke menduar për gjithë ato vajra dhe petale të çmuara me të cilat ato furnizojnë drejtpërsëdrejti kompanitë tona kozmetike, më tepër sens ka që jam unë, të gjithë ne, që të kërkojmë prej tyre që të na bëjnë të bukur dhe të rinj.