Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, filloi bisedimet me përfaqësues të Bashkimit Evropian për të kërkuar rritjen e kuotave të përpunimit të specieve të vogla pelagjike, veçanërisht aciugeve, sardeleve etj, për të plotësuar kapacitetet përpunuese të industrisë shqiptare të përpunimit të peshkut.
Shqiperia ka industrinë më të madhe të përpunimit të peshkut në Evropen Qëndrore dhe Lindore, e cila puneson mijëra punonjës. Për këtë qëllim, Ministri Panariti u takua në Itali me Presidentin e Komisionit të Bujqësisë të Parlamentit Evropian, Paolo de Castro.
Vitet e fundit, industria e përpunimit të peshkut është zgjeruar me ritme të shpejta duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Por, kuotat vjetore të eksportit që Bashkimi Europian i lejon Shqipërisë plotësohen brenda pak muajsh. Aktualisht në këtë industri minimalisht mund të jenë të punësuar 5 mijë vetë.