Bletaria/ Subvencionim me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë mbi 50 koshere

22

Bletaria është një nga 9 sektorët që financon Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2021, si një nga degët më të rëndësishëm të ekonomisë rurale, që vitet e fundit po zgjeron prodhimin dhe eksportin e mjaltit në tregjet e huaja.

Fondet e Skemës Kombëtare, parashikojnë subvencionimin me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere. Ulja e këtij numri nga 100 në 50 koshere është bërë në këto dy vitet e fundit, si një masë në mbështetje të nxitjes së zhvillimit të këtij aktiviteti dhe zgjerimit të numrit të bletarëve përfitues.

Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të natyrës dhe klimës që ka vendi ynë.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se numri i bletarëve që kanë përfituar subvencione në vitin 2020 është rritur në 1458 fermerë, kundrejt 275 bletarëve përfitues që u përfituan në vitin 2013.

Ndërkohë, mbi 70 % e 1458 bletarëve janë përfitues për më shumë se dy herë radhazi nga Skemat Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi në vitet e fundit dhe kanë mundësi të përfitojnë sërish në skemën e 2021.