Buxheti i Bashkisë së Tiranës për 2023 është shtatë herë me i madh se sa ai i 2015, pa rritur asnjë taksë për familjarët.

35

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj deklaroi se buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin që vjen është 28.7 miliard lekë. “Në buxhetin e vitit 2023, buxheti ynë është 28.7 miliard lekë, është 7-fishi i atij që gjetëm dhe e kemi bërë këtë pa rritur asnjë taksë për familjarët, e them edhe njëherë asnjë taksë për familjarët”.

Veliaj nënvizoi se fokusi i Bashkisë do të jetë rehabilitimi i infrastrukturës rrugore. “Do të fokusohemi jashtëzakonisht shumë në rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në nivel kapilar. Në vijim të projektit që nisëm këtë vit, sistemim, asfaltim të rrugëve në disa njësi administrative kemi parashikuar dhe një dyfishim të atij buxheti për vitin 2023, për tu siguruar që çdo rrugë edhe në fshatin më të largët. Dhe do të shikoni projektet edhe për Shën Mëri edhe për disa zona shumë të largëta, periferike dhe fundore të Tiranës, po edhe rrugicat e lagjes që ende nuk janë prekur prej projektit të asfaltimit. Do t’i kemi të mbyllura të gjitha për vitin 2023 dhe kemi parashikuar rreth 2 miliard lekë për këtë projekt”, deklaroi Veliaj.

Një tjetër investim do të jetë dhe ai që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës nga kryqëzimi i Unazës së Madhe në rrugën ‘’Nexho Konomi’’ në drejtim të lumit Lana.

Një vëmendje të veçantë do të marrë dhe rikualifikimi i 15 blloqeve të banimit. “Duam që të rikualifikojmë gjithsej 15 blloqe banimi sipas edhe propozimeve që keni sjellë, në lagjet 1,2,4,7,9 dhe 10, 12 dhe 13. Në njësinë 3 janë planifikuar 2 blloqe banimi, njësinë numër 5 janë planifikuar dy blloqe banimi, ku më i madhi është ai i Selitës. Kurse në njësinë 11 janë planifikuar tre blloqe banimi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se në fushën e arsimit është planifikuar që të ndërtojmë disa shkolla ekzistuese nga e para të cilat janë amortizuar. “Shkolla 9-vjeçare ‘’Edith Durham’’, ish-shkolla ‘’11 Janari në Bllok’’ do bëhet nga e para. Do të bëjmë ndërtimin nga e para të shkollës 9 vjeçare ‘’Pjetër Budi’’. Ndërtim nga e para të shkollës së mesme të bashkuar në Krrabë dhe ndërtim të shkollës së mesme të bashkuar ‘’Mersin Duqi’’, pra që janë dy shkolla në periferi të Tiranës. Do vazhdojmë me dy lotet e fundit të paketës së shkollave me PPP, buqeta vazhdon përreth unazës me dy shkolla, do të kemi dy shkolla një në Yzberisht, një në Astir le të themi në anën e lagjes 14 dhe dy shkolla në anën e njësisë 7, aty ku kemi marrë territoret e reja dhe jemi gati të vazhdojmë me atë lot . Dhe loti i fundit janë 4 shkolla, një shkollë është shkolla ‘’Dritëro Agolli’’ tek Parku Olimpik, tjetra është një tokë bashkiake ngjitur me Kopshtin Botanik”, tha Veliaj.

Sa i përket transportit, kryebashkiaku Veliaj prezantoi para anëtarëve të Këshillit Bashkiak listën e gjatë të investimeve duke filluar nga terminalet, tek subvencionimi i shërbimit të transportit publik.

“Terminali i TEG –ut është gati për t’u hapur. Për punë ditësh ne do të fillojmë punën mbasi fituam 22 e kusur gjyqe tek kthesa e Kamzës ku do të jetë terminali multimodal, ku ne do të lidhemi me trenin, po trenat e mallrave nuk do të vazhdojnë në qendër të Tiranës, por do të kenë vetëm një stacion që vazhdon nga kthesa e Kamzës tek Bulevardi i Ri dhe kthehet tek ish-stacioni i trenit tek Blv. Ri që do të jetë vetëm një stacion qytetas. Ne do të vazhdojmë të subvencionojmë shërbimin e transportit publik në Bashki. Për sa kohë që vazhdon kjo luftë e mallkuar dhe çmimet nuk janë kthyer në terezi, ne do vazhdojmë subvencionimin. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për studentët dhe unë besoj që ka qenë një nga gjërat më të mira që kemi bërë për studentët këtë vit, përgjysmimin i tarifës për konviktet dhe aboneja falas”, tha Veliaj. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim dhe me GIZ dhe KFV-n do të çojë përpara projektin që ka të bëjë me monitorimin, menaxhimin dhe kontrollin e transportit publik qytetas, nëpërmjet sistemeve inteligjente të transportit në nivel qëndror dhe lokal dhe sistemeve të informacioneve në kohë reale për pasagjerët për disa nga stacionet kryesore.

lexo.al