Çfarë është ORCA? Impianti më i madh në botë që largon CO2 nga atmosfera dhe e kthen në shkëmb

76

Quhet Orca dhe kap CO2 për ta kthyer në shkëmb: duhet të jetë në gjendje të asgjësojë 4000 ton dioksid karboni çdo vit.

Reykjavik, Islandë: këtu, mes akullit dhe vullkaneve, disa kilometra larg qendrës së kryeqytetit të vogël, qëndron një impiant që duket si diçka e dalë nga një film fantastiko-shkencor – dy struktura metalike pak më të mëdha se një kontejner i zakonshëm, të mbështetura mbi katër shtylla betoni të përforcuara. Quhet Orca dhe mund të përfaqësojë një hap të rëndësishëm përpara në teknologjitë e kapjes së CO2 direkt nga ajri: dioksidi i karbonit i kapur mbahet dhe i nënshtrohet disa proceseve të thjeshta kimike, më pas injektohet në nëntokë ku ngurtësohet në shkëmb, duke shmangur kështu që herët a vonë të mund të kthehen sërish në qarkullim.

Kjo teknologji revolucionare u krijua nga Climeëorks, një kompani zvicerane që merret me zgjidhje inovative për mbrojtjen e mjedisit dhe duket se funksionon realisht. Orca thith ajrin përmes 12 ventilesh të mëdhenj dhe e kalon atë përmes një filtri të veçantë ku një material i ngjashëm me rërën lidhet kimikisht me CO2, duke e bllokuar atë.

Dioksidi i karbonit i kapur në këtë mënyrë përzihet më pas me ujin duke përftuar kështu ujë të pijshëm me gaz të zakonshëm, por, në vend që të hidhet në shishe, ai injektohet në nëntokë qindra metra thellësi, në zona të pasura me bazalt. Në kontakt me bazaltin, CO2 që përmbahet në ujë shkakton një sërë reaksionesh kimike të cilat brenda dy ose tre viteve e shndërrojnë atë në shkëmb.

Ndryshe nga proceset e tjera të sekuestrimit të CO2, ky është përfundimtar sepse pasi dioksidi i karbonit ngurtësohet, nuk ka asnjë mënyrë për t’u kthyer në atmosferë. Dhe është shumë më efikase edhe në raport me ripyllëzimin, sepse bimët ende mund të lëshojnë CO2 duke u djegur ose dekompozuar pasi vdesin.

Impianti punon me energji elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme dhe ka një gjurmë mjedisore afër zeros. Deri më sot, Orca është në gjendje të eliminojë rreth 4,000 tonë CO2 nga atmosfera në vit dhe financohet nga kontributet e 8,000 vullnetarëve dhe kompanive të ndryshme. Ndër financuesit e projektit është edhe grupi rok Coldplay, i cili në këtë mënyrë dëshiron të përpiqet të neutralizojë emetimet e CO2 që rrjedhin nga koncertet e tyre.

Megjithatë, kjo është vetëm një pikë në oqean: Orca është sot në gjendje të eliminojë në një vit pune CO2 e prodhuar nga i gjithë planeti në vetëm tre sekonda- rreth 40 miliardë tonë – por është ende një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Sipas ekspertëve të ndryshëm, sekuestrimi mekanik i CO2 nga atmosfera është e vetmja mënyrë për të tentuar ngadalësimin e ngrohjes së planetit me synimin për zero emetime neto. Sepse nëse është e vërtetë që duhet përshpejtuar tranzicioni drejt një ekonomie industriale të gjelbër, është po aq e nevojshme të parashikohet largimi i CO2 tashmë të emetuar nga atmosfera.

A do të shkallëzohet ndonjëherë Orca për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kauzën mjedisore? Sipas krijuesve të tij, po, ashtu si impiantet e para të erës për prodhimin e energjisë elektrike. Në vitin 1980, termocentrali i parë industrial i erës përbëhej nga 20 turbina që prodhonin pak më pak se 600,000 ëatts, por 40 vjet më vonë, fuqia e instaluar e erës në mbarë botën është 1.23 milion herë më e lartë.

Nëse Orca rritet me të njëjtin ritëm, ajo mund të heqë 5 miliardë tonë CO2 nga atmosfera në vit deri në vitin 2060. Me një ndryshim thelbësor: era dhe fotovoltaikët drejtohen nga fitimi që mund të arrihet duke prodhuar energji me kosto të ulët. Nga ana tjetër, zbutja e ndryshimeve klimatike është një qëllim shumë më i paprekshëm që mund dhe duhet të mbështetet nga politika.

Kompania tani ka dy objektiva: të ndërtojë një fabrikë 10 herë më të madhe se Orca dhe të gjejë një mënyrë për ta bërë atë të funksionojë me lloje të tjera shkëmbi dhe me ujë të detit, në mënyrë që ta bëjë atë të përdorshëm në zona të tjera të botës, ndoshta larg nga rezervat e ujit. Focus