Dhërmi dhe Vuno, restaurohen çatitë dhe fasadat e 210 shtëpive

127

Ka përfunduar procesi i restaurimeve të çative dhe fasadave në fshatrat Dhërmi dhe Vuno. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, krahas restaurimit të godinave, po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionin e kalldrëmeve.

Projekti për rikualifikimin urban dhe restaurimin e objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno është pjesë e programit të investimeve “Punët në Komunitet IV- Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB).

Ky i fundit, përfshin një sërë investimesh në bregdetin e jugut, rajonin e Alpeve, qarqet Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër dhe bashkitë Himarë, Vlorë, Gjirokastër, Mat, Pukë.

Sipas FSHZH-së, në bashkinë e Himarës, programi parashikon disa paketa investimi të integruara për të cilat puna ka filluar që në vitin 2017, duke nisur nga infrastruktura rrugore, vendet parkimit, ndërtimi i infrastrukturës turistike në plazhet e Jalit dhe Dhërmiut, deri te rikonstruksioni i rrugëve, kalldrëmeve, ujësjellës – kanalizime, fasadave, çative, shesheve si sheshi Petro Marko dhe sheshi Strungli në fshatrat e Vunoit dhe Dhërmiut.

Pjesë e këtyre ndërhyrjeve ishte edhe ndërtimi i shëtitoreve në plazhin e Jalit dhe Dhërmiut që tashmë kanë përfunduar. Ndërkohë, në Dhërmi po punohet intensivisht për ndërtimin e hapësirave urbane si vende pushimi përgjatë shëtitores, ndërtimi ujëvarës së shkronjave dhe riparime të tjera.