Dita Botërore e Jetës së Egër, aktivitete në parkun Divjakë- Karavasta

3
Administrata e Zonave të Mbrojtura Fier me mbështetjen e projektit JICA realizuan disa aktivitete në parkun kombëtar Divjakë- Karavasta me rastin e
3 marsit, Ditës Botërore të Jetës së Egër.
Pjesë e aktiviteteve ishin nxënësit shkollës 9-vjeçare Gërmenj, të cilët mësuan më shumë rreth kësaj dite, jetës së egër në park dhe mënyrat e ruajtjes së saj.
Më pas u realizua mbjellje fidanësh pyjor ku u demonstrua rëndësia e bimësisë në mbrojtjen e parkut nga faktorë të ndryshëm.
Aktivitete të tilla ndërgjegjësuese me shkolla të ndryshme të zonës së parkut do të vazhdojnë edhe në ditë të tjera mjedisore.
Dita Botërore e Jetës së Egër është dita për një vëmendje më të shtuar për larmishmërinë e faunës dhe florës së egër dhe për të rritur ndërgjegjësimin për përfitimet e shumta që u ofron njerëzve ruajtja e tyre. Kjo ditë kujton nevojën urgjente për të rritur luftën kundër vrasjes së kafshëve të egra dhe reduktimit te specieve
Tema e këtij viti është “Partneritetet për mbrojtjen e kafshëve të egra”.
Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden rreth 29 lloje zvarranikësh dhe amfibësh, 25 lloje gjitarësh, 260 lloje shpendësh dhe rreth 500 lloje bimësh.
Specialistët e zonave të mbrojtura shprehen se duke pasur këto pasuri natyrore është shumë e rëndësishme mbrojta e tyre duke bërë mbi të gjitha ndërgjegjësim tek brezat e rinj e duke u treguar atyre vlerat dhe të mirat që vijnë nga flora dhe fauna e parkut.
/ata.gov.al