Drejt fundit rikonstruksioni i rrugës së re të Kalasë në Berat

57

Në Berat vijon me ritme të larta puna për rikonstruksionin e rrugës së re të Kalasë, e cila do të ndryshojë krejtësisht cilësinë e kësaj oferte të rëndësishme turistike.

Rruga e re do të mundësojë një akses të lehtë për makinat nga faqja e kodrës duke çliruar përfundimisht prej makinave rrugën e brendshme këmbësore drejt Kalasë.

Rruga është po ashtu panoramike dhe parashikon ndërtimin me standarde të plota, me trotuar, ndriçim etj. Përveçse do të përdoret nga mjetet që do të vizitojnë kalanë, rruga do të përdoret edhe nga këmbësorët.

Berati, qyteti unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, është një nga destinacionet turistike kryesore në vend.

Në kalanë e lashtë mbi kodër, të banuar edhe sot, rrugët dhe rrugicat presin mijëra vizitorë në të gjitha stinët e vitit.