Dritare që prodhojnë energji elektrike, shpikja zvicerane që mund të ndryshojë botën

42

E gjithë drita natyrore që hyn përmes dritareve, mund të vijë dita që të vlejë shumë më tepër sesa thjeshtë për ndriçim. Shkencëtarët në Zvicër kanë arritur një rekord të ri të efikasitetit për qelizat transparente diellore, duke i hapur rrugën krijimit të dritareve që prodhojnë energji elektrike, të cilat mund të ndihmojnë në furnizimin me energji të shtëpive dhe pajisjeve tona.

Të njohura gjithashtu si qelizat Grätzel, qelizat diellore të ndjeshme ndaj ngjyrave (DSC) janë një lloj qelizash fotovoltaike me kosto të ulët, të cilat përdorin një ngjyrues të fotosensitiv të integruar në sipërfaqen e një gjysmëpërçuesi për të kthyer dritën e dukshme në energji.

Versionet e mëparshme të DSC-ve mbështeteshin kryesisht në rrezet direkte të diellit, por shkencëtarët në École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL) kanë gjetur një mënyrë për të bërë foto-sensitizues transparentë, të cilat janë molekula që mund të aktivizohen nga drita dhe që mund të “absorbojnë” dritën në të gjithë spektrin e dukshëm.

“Gjetjet tona hapin rrugën për ta bërë më të thjeshtë aksesin e DSC-ve me parametra të lartë dhe ofrojnë perspektiva premtuese për zbatimin e tyre në praktikë, duke siguruar furnizim me energji elektrike dhe duke zëvendësuar bateritë për pajisjet elektronike me konsum të ulët, të cilat përdorin dritën e mjedisit si burim energjie,” shkruajnë autorët e studimit të botuar në revistën shkencore Nature.

Panele diellore transparente

DSC-të janë transparente, elastikë dhe mund të prodhohen në një gamë të gjerë ngjyrash me një kosto relativisht të ulët. Këto panele diellore të tejdukshme janë duke u përdorur në xhamat e sipërm të ndërtesave, në serra dhe në fasadat prej xhami.

Në vitin 2012, Qendra e Konventave SwissTech zbatoi për herë të parë teknologjinë DSC në një ndërtesë publike. Në vitin 2017, Shkolla Ndërkombëtare e Kopenhagës përuroi ndërtesën e saj të re me afërsisht 12,000 panele diellore transparente me nuanca blu, të cilat përdorin të njëjtën teknologji DSC.

Ato ofrojnë rreth 300 megavat orë (MWh) të energjisë elektrike në vit, duke plotësuar më tepër se gjysmën e nevojave vjetore të shkollës për energji