Eksporti i peshkut nga Shqipëria, zgjerohet me 11 shtete harta e shteteve

41

Eksportet e prodhimeve të detit “Made in Albania” u rritën në vlerë me 3.407 milionë lekë në mars të 2021, kundrejt 2,603 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

MInistrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, publikoi shifrat zyrtare ku rritja e eksporteve të produkteve të peshkut dominon nga portet kryesore të vendit (Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Sarandë).

Vendet e BE-së (Italia e Gjermania) vijojnë të jenë destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare të peshkut, ndërkohë që vijon normalisht edhe furnizimi i tregjeve të vendit me peshk e fruta deti.

Në total harta e eksportit të peshkut nga Shqipëria është zgjeruar vitet e fundit në 11 shtete të ndryshme, duke shënuar rritje të eksporteve në volum dhe vlerë.

Politikat lehtësuese në mbështetje të peshkimit i kanë dhënë impuls të ri këtij sektori.

Prej 7 vitesh peshkatarët e marrin naftën pa taksa, rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja.

Qeveria së bashku me Bashkimin Europian financuan së fundi një grant prej 1.5 milionë euro për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.

Ndërkohë zhvillim ka marrë edhe industria e përpunimit të peshkut. Numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut në Shqipëri është dyfishuar që prej vitit 2013. Nga 16 ndërmarrje që operonin në këtë sektor në vitin 2013, sot numri i tyre ka arritur në 33.

Krahas rritjes së numrit të ndërmarrjeve aktive rritje ka njohur edhe numri i të punësuarve. Investimet e kryera nga këto ndërmarrje llogariten 60 milionë euro, ndërsa janë të punësuar mbi 5 mijë persona.