Eurostat: Shqipëria mori 1 miliard euro nga emigrantët në 2021, rekord në Europë në raport me madhësinë e ekonomisë

7

Shqipëria mori 1 miliard euro transferta personave nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2021, bëri të ditur Eurostat, që kryesisht janë paratë që emigrantët në BE dërgojnë në vendin mëmë.

Sipas një harte të publikuar nga Eurostat, kjo është shuma më e madhe në Europë në raport me madhësinë përkatëse të vendit, duke arritur në 6.7% të prodhimit të Brendshëm bruto (PBB). Mali i Zi merr 6.1% të PBB-së, ndërsa mungojnë të dhënat për Kosovën.

2021-i ka shënuar nivelin më të lartë të transfertave që nga 2013-a kur INSTAT raporton të dhënat, duke reflektuar një rigjallërim të ciklit të emigracionit, me emigrantët e rinj që kanë shtuar dërgesat në vendin e tyre të origjinës.

Të dhënat më të mëparshme të Eurostat treguan se Italia është burimi kryesor i dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave nga Eurostat për vitin 2021, transfertat personale nga Italia kishin vlerën e 279 milionë eurove, ose rreth 24.5% e totalit. Dërgesat nga Italia u rritën me 7.2% krahasuar me vitin 2020.

Britania e Madhe ndërkohë ka konsoliduar prej vitesh vendin e dytë për nga vlera e transfertave drejt Shqipërisë. Sipas Eurostat, për vitin 2021, vlera e këtyre dërgesave arriti në 206.5 milionë euro ose 18.1% e flukseve të transfertave personale hyrëse. Rritja e dërgesave nga Britania e Madhe ishte më e ngadaltë, me 1%, krahasuar me vitin 2020.

Në vendin e tretë dhe me rritje të ndjeshme paraqitet Gjermania. Në vitin 2021, vlera e transfertave nga Gjermania arriti në 172.8 milionë eurove ose sa 15.2% e totalit. Transfertat nga Gjermania kanë shënuar një rritje të lartë, me 20.4% më shumë krahasuar me vitin 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2017 ato janë rritur me 71%, teksa ky vend vitet e fundit është bërë një nga destinacionet më të preferuara të emigrantëve.

Partneri i katërt për nga vlera e remitancave të dërguara është Greqia, me një vlerë prej 172.3 milionë eurosh, ose rreth 15.1% e totalit të vitit 2021. Megjithëse pesha e Greqisë në strukturën e emigracionit të ri shqiptar vlerësohet të jetë më e ulët, sidomos në periudhën e postkrizës ekonomike greke, edhe transfertat nga Greqia kanë shënuar rritje, me 2% më shumë krahasuar me vitin 2020.

Një peshë të rëndësishme në totalin e transfertave drejt Shqipërisë ka edhe Amerika e Veriut, kryesisht SHBA (Eurostat i paraqit shifrat në nivel të kontinentit, pa ndarje midis SHBA dhe Kanadasë). Dërgesat nga Amerika e Veriut në vitin 2021 arritën vlerën e 128.1 milionë eurove ose sa 11.2% e totalit. Transfertat nga Amerika janë rritur me 27% krahasuar me vitin 2020, duke shfaqur shkallën më të lartë të rritjes mes pesë vendeve kryesore partnere./Monitor