“Festa e Mollës” në Korçë, qarku kampion për prodhimin e këtij fruti (FOTO)

44

Sezoni i vjeljes së mollëve për fermerët e Korçës, ka nisur dhe prodhimi i këtij viti duket më i bollshëm krahasuar me një vit më parë. Festa e mollës në fshatin Dvoran, të Korçës, mblodhi bashkë fermerët që e kultivojnë masivisht këtë frut.

Festa e Mollës, e kthyer tashmë në një traditë të bukur dhe një nga festat më të veçanta të vjeshtës në Korçë, shihet si një mundësi e mirë për lidhjen e marrëveshjeve me tregtarët e shumicës të cilët veç nevojave të tregut, një pjesë të konsiderueshme të mollëve e destinojnë për eksport.

Molla e Korçës,mbetet e pakonkurrueshme në cilësi e shije ndaj dhe fermerët prodhues të këtij fruti synojnë zgjerimin e tregjeve të shitjes.

Fermerët e rajonit të Korçës prodhojnë rreth 100 mijë ton mollë në vit dhe mbi 40% e këtij prodhimi ruhet në kushte frigoriferike.

Eventi bëri bashkë vizitorë e familjarë të cilët bashkërisht ndihmuan fermerët në vjeljen e mollëve. Festa vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes nën tingujt e muzikës, kërcimit dhe degustimit të ushqimeve tradicionale të zonës.