FOTOT/ Gati projekti për ndërtimin e godinës së parkimit dhe hapësirave mbështetëse në Gjirokastër

95

Bashkia Gjirokastër, si porta jugore e Shqipërisë, do të shërbejë si pol turistik për të gjithë rajonin, e nxitur nga traditat e pasura dhe trashëgimisë së shumëllojshme kulturore, në bashkëpunim me bashkitë e tjera fqinje duke formuar një aks të gjerë turistik e kulturor: Gjirokastër – Berat dhe Gjirokastër – Sarandë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me AADF (American- Albanian Development Fund)  synon të realizojë një sërë projektesh në qytetin e Gjirokastrës  për rijetëzimin dhe rritjen e atraksioneve turistike.

Projekti i radhës nga AADF (American- Albanian Development Fund), punimet e të cilit do të zhvillohen nga FSHZH është ai për “Rijetëzimin e sheshit dhe parkimin nëntokësor në Sheshin Çerçiz Topulli, në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës”. Së fundmi për shkak të rritjes së fluksit në zonë është rritur dhe kërkesa për hapësirë parkimi, sidomos në afërsi të zonave më të vizituara dhe destinacioneve të njohura turistike. Aktualisht në një vëzhgim të kryer parkimi publik ekzistues prej 80 autoveturash është pothuajse gjatë gjithë ditës i plotësuar dhe në orë të caktuara edhe i pamjaftueshëm, duke detyruar vizitorët të gjejnë alternativa të tjera të mundimshme në brendësi të qendrës historike. Pra, në kushtet aktuale numri i parkimeve të nevojshme duhet të jetë të paktën 120 makina ku në fundjavë edhe më tepër se 150 makina.

Ndërhyrjet e deritanishme të njeriut kanë qenë pothuajse fare në këtë zonë, që pas ndërtimit të sheshit në vitet ’60, kjo pasi ka mbetur e konservuar edhe pas viteve ’90 dhe më vonë me mbrojtjen edhe nga UNESCO. Vetë sheshi për zonën ofron një pamje të magjishme nga hyrja e qendrës historike përkundrejt lagjes Hazmurat dhe më gjerë me ndërthurjen me peizazhin e luginës së lumit Drino dhe vargmalit Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.

Objektivi kryesor i projektit është rivitalizimi i shesheve dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor në sheshin Çerciz Topulli, për të përmirësuar menaxhimin e rritjes së flukseve turistike, pa cënuar trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës.