Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka publikuar imazhe nga ecuria e punimeve të projektit të Unazës së Peshkopisë.
“Pas zgjidhjes së problematikave me karakter social që shkaktuan vonesa në zbatimin e projektit, tashmë ka përfunduar 98% e punimeve. Është ndërtuar rrjeti inxhinierik nëntokësor, përshirë sistemin e ndriçimit, ndërkohë që ka përfunduar puna për asfaltimin e rrugës” njofton FSHZH.
Projekti për ndërtimin e Unazës së Peshkopisë financohet nga qeveria shqiptare në kuadër të programit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit “Rehabilitimi i Rrugëve Prioritare”.
Synimi i këtij projekti është që të lehtësojë trafikun në qytetin e Peshkopisë duke shërbyer si bypass veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë që deri para projektit kalonin nëpër qytet.
Sipas FSHZH-së, krahas unazës së re të Peshkopisë, një tjetër projekt tashmë i përfunduar në qarkun e Dibrës ai i ndërtimit të rrugës Kastriot – Arras, 6 km përgjysmon distancën në lidhjen e banorëve të 20 fshatrave të njësive administrative Arras dhe Fushë Cidhen dhe Peshkopisë.