FOTOT/ Laguna e Orikumit, një oaz bukurie i natyrës dhe një ‘parajsë’ për zogjtë

34

Jo shumë larg qytetit të Vlorës, gjendet një lagunë e vogël e Orikumit, me vlera të larta natyrore, e ndodhur edhe rrëze Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit. Sipërfaqja ujore e kësaj lagune është 1.5 km2. Në periferi dhe nën ujërat e lagunës gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër të Orikumit, duke rritur kombinimin e vlerave natyrore me ato historike. Kjo lagunë veç vlerave historike është e pasur dhe me specie të ndryshme të florës e faunës. Laguna e Orikumit është e lidhur me detin nëpërmjet një kanali komunikimi.

Rezerva e madhe e peshkut (kryesisht ngjala dhe koce) rrit mundësinë për ushqim për karabullakët, çafkat e mëdha të bardha dhe çafkat e përhime. Prezenca e shpendëve të lagunës dhe të kallamishteve, e rendit lagunën si një Zonë IBA (Important Bird Area- Zonë e rëndësishme për shpendët).

Sipas rishikimit të ri të Zonave të Mbrojtura, laguna do të jetë pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit, gjë e cila i jep asaj një status mbrojtje më të madh dhe nxit detyrën tonë për të siguruar menaxhimin e qëndrueshëm të saj.