FOTOT/ Nis vaksinimi masiv në Shqipëri, sa vaksina ka siguruar vendi ynë

24

Dje në Shqipëri ka nisur vaksinimi masiv i popullatës kundër covid. Në fotogalerinë e mëposhtme mund të shihni pamje nga procesi që nisi mëngjesin e së dielës në Tiranë kundër koronavirusit.

Dy çadra të mëdha janë ngritur në sheshin kryesor të kryeqytetit, ku aktualisht po vaksinohen të moshuarit mbi 75 vjeç, të cilët do të marrin dozën e vaksinës kineze të Sinovac. Ata janë njoftuar nga mjeku i familjes në bazë të rendit alfabetik.

Procesi i vaksinimit do të vijojë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilat po ashtu janë furnizuar gjatë ditëve të fundit me këtë vaksinë.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se planifikon të vaksinojë mbi 10 mijë persona në ditë kundër koronavirusit.

Qeveria e Shqipërisë ka siguruar 1 milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e këtyre vaksinave.

Nga kontrata e nënshkruar të enjten, më 25 mars në Stamboll me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayive Ticaret”, parashikohet që fillimisht të blihen 500.000 doza, të cilat pritet të dërgohen në Shqipëri gjatë dy muajve të ardhshëm. 190 mijë prej tyre mbërriten disa ditë më parë

Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit në fillim të muajit janar. Deri më 28 mars, në Shqipëri janë vaksinuar 64.075 persona, ku përfshihen të moshuarit, arsimtarët dhe personeli mjekësor.

Shqipëri ka kontratë edhe me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës. Aktualisht, Tirana zyrtare po ashtu ka siguruar afër 40.000 doza të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca.