FOTOT/ Një kopsht komod hap dyert për 250 fëmijë në Paskuqan

75

Kopshti “Zarife Hasanaj” në Paskuqan, Kamzë, është rihapur falë riparimit në kuadër të programit “EU4Schools” (“BE për Shkollat”).

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP Albania) bëri të ditur se fëmijët janë rikthyer tashmë në kopshtin e tyre të riparuar, në mjedise shumë herë më të mira nga ç’kanë qenë më përpara, më të sigurta, më moderne dhe sipas standardeve më të mira evropiane.

“250 fëmijë, 10 edukatore dhe rreth 19 mijë banorë të komunitetit të Paskuqanit janë edhe përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi që është garancia më e mirë për të ardhmen duke ofruar kushte tejet dinjitoze pikërisht ashtu sikurse fëmijët e meritojnë”, bëri të ditur UNDP.

Kopshti “Zarife Hasanaj” është pjesë e programit “EU4Schools”, financuar nga BE me 75 milionë euro dhe zbatuar nga UNDP, falë të cilit po rindërtohen/riparohen 63 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues dhe ku përfitojnë në total rreth 24 mijë fëmijë, nxënës e mësues, duke u siguruar atyre mjedise të standardeve më të larta për arsim cilësor pikërisht si në vendet e Bashkimit Evropian.