FOTOT/Shkolla 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” në Krujë rihap dyert, ambiente komode për nxënësit

24

Një tjetër institucion arsimor ka hapur dyert për nxënësit dhe mësuesit falë rindërtimit nga programi “EU4Schools” (“BE për Shkollat”).

Nxënësit e mësuesit janë rikthyer tashmë në shkollën 9-vjeçare & kopshtin “Gjergj Kastrioti” Bilaj, Bubq të bashkisë Krujë, e cila është ndërtuar nga e para falë Programit “EU4Schools”. 110 nxënës, 37 fëmijë të kopshtit dhe afro 2100 banorë të komunitetit po gëzojnë investimin më të mirë për të ardhmen e tyre.

Shkolla 9-vjeçare & kopshti “Gjergj Kastrioti” është pjesë e “EU4Schools”, një program i financuar nga Bashkimi Evropian me 75 milionë euro dhe zbatuar nga UNDP Albania, e cila ka investuar gjithashtu 765.000 euro.

Nëpërmjet këtij programi dhe bazuar në qasjet themelore të “Rindërtojmë më Mirë” dhe “Rindërtojmë së Bashku”, po rindërtohen apo riparohen 63 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues dhe ku përfitojnë në total rreth 24,000 fëmijë, nxënës e mësues, duke u siguruar atyre mjedise të standardeve më të larta evropiane dhe duke u kthyer kështu në një realitet të prekshëm për brezat e rinj në zonat më të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.