FOTOT/ Shtegu Dragobi-Qafë Droce, një nga rrugëkalimet më të mahnitshme turistike në Valbonë

17

Shtegu Dragobi-Qafë Droce është një nga rrugëkalimet më të mahnitshme turistike, i cili ndodhet në parkun e Luginës së Valbonës, përgjatë zgjatimit drejt parkut të Nikaj-Mërturit.

Shtegu ”Dragobi-Qafë Droce” që ndodhet brenda parkut kombëtar “Lugina e Valbonës” ka një gjatësi 7 km dhe është një ndër atraksionet më të bukura turistike për sa i përket të apasionuarve të ngjitjes alpine.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dha të dhënat e kalimit në këtë shteg magjik turistik.

Gjatë rrugëtimit në këtë shteg përshkon pothuajse gjithë monumentin e natyrës “Gryka e Motinës” e cila të ofron një panoramë magjepse, duke vijuar më tej për tek monumenti i natyrës “Liqeni i Ponarëve”.

Ky shteg shërben edhe si lidhje e parkut kombëtar Lugina e Valbonës me parkun natyror rajonal “Nikaj-Mërtur”.

Shtegu është i gjithi i markuar dhe rrugëtimi zgjat 3 orë në vajtje. Vështirësia e shtegut është mesatare dhe kërkon përgatitje fizike të mirë.

Shumëllojshmëria e biodiversitetit në këtë shteg e bën dhe më tërheqës për vizitorët.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në Luginën e Valbonës janë ariu i murrmë, dhia e egër, kaprolli, macja e egër, rrëqebulli, derri i egër, lepuri, dhelpra.