Gazeta e njohur franceze “Le Monde” i bën jehonë Tiranës

50

Ndërsa sjell imazhe nga Tirana, gazeta e njohur franceze “Le Monde” shkruan për lexuesit e saj se një guidë 48-orëshe në kryeqytetin shqiptar do të ishte mbresëlënëse për çdo turist, teksa fton turistët të shijojnë jetën e natës, artin e rrugës, gastronominë, muzetë e mahnitshëm dhe shëtitjet në zona turistike.

“Jeta e natës, arti i rrugës, gastronomia, muzetë e mahnitshëm dhe shëtitje të këndshme… Kryeqyteti pak i njohur i një Shqipërie në transformim të plotë, ka marrë ngjyra të reja dhe ia vlen të udhëtosh drejt tij”, shkruan prestigjiozja franceze.

“Le Monde” i referohet romanit “Dimri i Madh” të shkrimtarit Ismail Kadare, për të përshkruar transformimin e kryeqytetit shqiptar.

“I izoluar prej kohësh nga vullneti i një fuqie të hekurt, kryeqyteti shqiptar ka marrë ngjyra të reja. Mes muzeve të pasura, hapësirave të gjelbra të mëdha dhe hapjes së dritës jeshile për artin e rrugës, ajo doli nga ky ‘Dimër i Madh’, siç e ka përshkruar edhe artisti i saj më i famshëm, shkrimtari Ismail Kadare”, citohet “Le Monde”.