Gjermania përfaqësohet në Botërorin e boksit nga një shqiptare: Jam krenare për gjakun tim shqiptar

103

Azize Nimani është krenare për prejardhjen e saj shqiptare, i kupton dhimbjet e popullit shqiptar të Kosovës, ku edhe ka lindur, dhe nuk frikësohet kurrë të marrë grushte kur përfaqëson Gjermaninë në ringun e boksit.

Kështu nis shkrimin mediumi indian “devdiscourse” pak ditë para Kampionatit Botëror të Boksit që do të mbahet në Indi.

Mediumi vazhdon shkrimin duke thënë se boksierja MC Mary Kom nuk do të harrojë kurrë 26-vjeçaren Azize Nimani, nga e cila pësoi keq në raundin e dytë të kualifikimeve për Lojërat Olimpike Rio 2016.

Medalistja e bronztë e Kampionatit Evropian në 51 kilogramë, Nimani e pranon se fitorja ndaj Maryt i dha vulë karrierës së saj.

“Fitorja ndaj Mary Kom në kualifikimet për Olimpiadën 2016 ishte fitore e rëndësishme për mua. Sepse Mary është legjendë në boksin e femrave dhe nëse e mposhtni atë, ju i keni mposhtur të gjithë. Andaj, sigurisht që pati vlerë të madhe te unë pasi tregoi se mund të jem në majë”, ka thënë Azize në intervistën para pjesëmarrjes në Botërorin e Boksit për femra që nis më 15 nëntor.

Nimani ka karakter të veçantë me përzierja kulturash që i shpreh me krenari.

“Unë përfaqësoj Evropën”, ka thënë ajo duke qeshur.

Në bicepsin e majtë ajo ka shqiponjën tatuazh dhe menjëherë vazhdon përgjigjen: “Kjo është shqiponja shqiptare dhe është pjesë e imja. Nuk dua ta fsheh. Po, boksoj për Gjermaninë, por jam krenare për gjakun tim shqiptar”.