Për herë të parë në Shqipëri, nxënësit me kufizime në dëgjim dhe në të folur do të kenë mundësi të vijojnë arsimin e tyre edhe në shkollën e mesme. Gjimnazi do hapet këtë shtator me dy klasa të dhjeta dhe do jetë i orientuar drejt teknologjisë. Azbie Ramaj, drejtoresha e Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë ka një thirrje drejtuar prindërve që mos t’i mbajnë fëmijët në shtëpi por të sjellin pranë institucionit pasi gjithçka është falas.
Pas një pritje disa vjeçare, gjimnazi për nxënësit me kufizime në të dëgjuar dhe në të folur duket se është gati për të hapur dyer më 12 shtator 2022.
Kurrikulat e gjuhës së shenjave janë tashmë të akredituara nga Ministria e Arsimit. Gjimnazi do të jetë i orientuar drejt teknologjisë.
Në gjimnaz mund të regjistrohen edhe ata nxënës të cilët kanë përfunduar ciklin 9 vjeçar 2 vite më parë. Për nxënësit nga rrethet ofrohet akomodim falas në konvikt.
Në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT janë rreth 6 mijë persona të cilët nuk mund të flasin e dëgjojnë.