Investime në Golem, lehtësira për turistët të këtë vit

33

Rehabilitimi i një prej zonave me frekuentimin më të lartë të pushuesve nga brenda dhe jashtë vendit, Golemit, po shkon drejt fundit.

Aktualisht janë realizuar rreth 60% e punimeve dhe deri më tani ka përfunduar kanali kryesor që vazhdon në drejtimin verior duke u bashkuar me kanalin e ri të Prroit të Agait. Gjithashtu ka përfunduar edhe kanali kryesor në rrethrrotullimin nën autostradë , ku ka filluar edhe mbushja. Kontraktori ka filluar punën për lidhjen e kanalit të fundit që është afro 600ml.

Kjo ndërhyrje ka qenë një kërkesë e vazhdueshme jo vetëm e banorëve rezidentë, por në veçanti e operatorëve turistikë të cilët theksojnë se ky projekt “do të lehtësojë jetën” për të gjithë vizitorët, lidhur me momentet e rënduara të trafikut dhe situatave kaotike që krijoheshin, si dhe qarkullimin e automjeteve dhe për të mos lënë më pas një imazh dhe shije të hidhur të një zonë të bukur bregdetare, por pa investim.

Projekti konsiston në rikonstruksionin e rrugëve sekondare nga rrethrrotullimi i Plepave tek nënkalimi i Golemit. Rehabilitimi i rrugës ndiqet nga ndërtimi i rrjeteve të reja të faciliteteve nëntokësore si kullimi, elektrike si dhe ndriçimi i rrugës.

Në këtë zonë do të trajtohen rreth 26 kilometra rrugë, kanale ose shëtitore, kryesisht në gjurmë ekzistuese.Ndërkohë është parashikuar dhe ndërtimi i ndonjë vepre arti që mundëson lehtësim më të madh të fluksit nga rrugët sekondare duke e futur një pjesë në rrugën kryesore përmes zgjidhjeve alternative.

Ndërhyrja ka për qëllim primar zhvillimin e turizmit në zonë, duke siguruar të gjithë përmirësimet e domosdoshme në infrastrukturë dhe lëvizjen nga zona turistike drejt Kavajës, Durrësit apo Tiranës. Për shkak të frekuentimit çdo vit e në rritje janë parashikuar dhe hapësira për parkime, parqe, sheshe etj duke ju përshtatur të gjithë grupmoshave si dhe mundësi për aktivitete të ndryshme sociale, përpos shfrytëzimit të bregdetit.