Investimi më i fundit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” ka bërë të mundur shtimin e gamës së diagnostikimit dhe trajtimit për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet pulmonare.
Falë një investimi me vlerë afro 50 mijë euro u bë e mundur blerja e një pajisjeje të re të Krioterapisë (Cryotherapy) dhe Diagnozës Endobronkiale, e cila rrit gamën diagnostikuese, por edhe trajtuese, të të gjithë sëmundjeve pulmonare, duke filluar që nga kanceri i mushkërive, por edhe sëmundje të tjera të sistemit respirator.
Një pajisje e tillë e avancuar mjekësore, e cila vihet për herë të parë në përdorim në Shqipëri, përveç diagnozës, e cila ndihmon në marrjen më të lehtë të biopsisë, realizon gjithashtu edhe marrjen e një pjesë më të madhe të indit që ndihmon në rritjen e përqindjes të përcaktimit më të saktë të diagnozës.
Falë kësaj pajisjeje, afro 800 nga 2 mijë pacientë që i nënshtrohen çdo vit procedurave endoskopike, do të mund të bëjnë endoskopi me teknologji moderne dhe ky shërbim do t’ju ofrohet tërësisht falas.