IPA III, BE 600 milionë euro mbështetje për Shqipërinë

20

Instrumenti i ri IPA III do ta ndihmojë Shqipërinë në procesin e zgjerimit dhe do të ofrojë deri në rreth 600 milionë euro mbështetje për të.

Kjo asistencë e paraanëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe vendet kandidate të mundshme për miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.

Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë, decentralizimi, qeverisja vendore dhe shoqëria civile.

Më shumë rreth IPA III

IPA III për periudhën 2021-2027 është fokusuar në prioritetet e procesit të zgjerimit të BE-së. Sipas IPA III, programimi i asistencës së BE-së është programuar sipas pesë dritareve tematike, të cilat pasqyrojnë grupimet e kapitujve negociues. Dritaret tematike janë: sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe demokracia; qeverisja e mirë, përafrimi me acquis të BE-së, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe komunikimi strategjik; axhenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme; konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse; bashkëpunimi territorial dhe ndërkufitar.

Përveç kësaj, një sërë temash ndërsektoriale, të tilla si ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, shoqëria civile, barazia gjinore dhe qasja e bazuar në të drejtat, janë integruar dhe rrjedhimisht zbatohen në kuadrin e pesë dritareve.

Buxheti i ri IPA III për periudhën programore 2021-2027 është mbi 14 miliardë euro dhe mbulon Ballkanin Perëndimor si dhe Turqinë. Kjo është një rritje e konsiderueshme nga buxheti prej 10 miliardë eurosh i fazës së mëparshme IPA (IPA II, 2014-2020).