Ja ka humbur apo ju është dëmtuar patenta? Mos u shqetësoni, ja zgjidhja e re

127

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka sjellë një tjetër risi pasi nga 16 shtatori për të gjithë ata persona që u humbet patenta apo u shkatërrohet ajo përveç rinovimit qytetarët mund të marrin dublikatë.

Në kuadër të lehtësimit të procedurave në shërbim të qytetarëve, DPSHTRR shprehet se nga 16 Shtatori tjetër risi. “Humbje/shkatërrim patente? Përveç rinovimit qytetari do gëzojë edhe të drejtën të marrë dublikat dhe në kushte, tarifa, praktikë të ndryshuara! Dublikati (pa qenë nevoja për raport mjekësor, as foto të re) rikonceptohet si një shërbim i ri dhe me tarifë më të ulët për qytetarin”, tha DPSHTRR.

“Tjetër lehtësi për qytetarët, se u shkonte sa frëngut pula kur u humbte a dëmtohej patenta! Tani jo vetëm do aplikojnë më thjesht – s’vjen më 3 herë: depoziton 1 herë denoncimin dhe në afatin ligjor të prodhohet kartoni dublikat – tërheqja dhe nga i afërm me vetë deklarim, pa mbajtur peng emigrantë a kë ka plane udhëtimi – ose aplikon/dorëzon kartonin e dëmtuar, merr dublikatin (Tirana brenda 30 min!)! Edhe nëse zgjedh rinovimin (që kërkon foto të re dhe raport mjekësor, aplikimi i tëri në 1 herë, për humbjen që ka detyrim denoncimin, në afatin ligjor prodhohet kartoni i ri. Kush dorëzon kartonin të dëmtuar dhe rinovon e merr direkt (Tirana prodhimi brenda 30 min)). Zgjidhet më kollaj tërë meseleja”, sqaron DPSHTRR

Po ashtu DPSHTRR  sqaron se me shërbimin e ri eliminojmë mijëra ecejake, miliona minuta radhë sportelesh, orë trafiku e angari! “U kursejmë mijëra qytetarëve karburant, kohë, tarifa vërtetimesh e shërbimesh! Korrigjojmë sistemin e DM konform Kodit Rrugor dhe me fokus interesin e qytetarit! Më lirë! Më shpejt! Më pak stres!”, thuhet në njoftim.