Ja si do të shndërrohet bulevardi i Vlorës, gati sezonin e ardhshëm turistik

193

Bulevardi “Ismail Qemali”, i cili do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Punimet, të cilat janë përqendruar në segmentin rreth 300 metra nga kryqëzimi i “Cipajve” deri te shkolla industriale, po ecin me ritme të larta dhe synohet që sezonin e ardhshëm turistik të jetë gati.

Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Historia e këtij bulevardi zë fill që në shekullin e XIX me një rrugë që lidhte qendrën e qytetin me bregdetin. Aty kalonte edhe një dekovil, që transportonte kripë nga kriporet e Vlorës deri në Port, por edhe udhëtarë, madje deri te tuneli në Ujin e Ftohtë në fillimet e shekullit të XX.

Pas çlirimit të Shqipërisë bulevardi Vlorë-Skelë u formatua me pasion nga i paepuri Kristo Papajani “Qytetar Nderi i Vlorës”, i cili e mbushi atë me portokalle, palma, lule të llojeve të ndryshme dhe statuja. U krijua edhe parku “Rinia” mbushur me palma, shatërvanë, statuja dhe pyll eukalipti.

Në vitin 1987 bulevardi Vlorë-Skelë u zgjerua përsëri nën drejtimin e Vasillaq Ndinit, ku u mbollën palma të tjera.