Je fermer dhe mbjell grurë? Ja si të përfitoni financim 30 000 lekë për çdo hektar, vazhdojnë aplikimet

28

 Përmes aplikimeve në portalin e-Albania, fermerët përfitojnë mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për mbjelljet e reja të grurit, në masën e 30 000 lekëve për çdo hektar të mbjellë me grurë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, njofton se mbeten edhe 4 ditë nga mbyllja e aplikimeve për skemën e grurit, teksa aplikimet kanë nisur që datën 1 shtator të këtij viti.

Përfitues për masën mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, persona fizikë, juridikë, apo shoqata të bashkëpunimit bujqësor.

Fermerët aplikojnë online pa dokumente nëpërmjet portalit e-Albania. Për të përfituar, aplikanti duhet të jetë i pajisur me NIPT fermeri aktiv; toka të jetë në pronësi ose në përdorim (qira, huapërdorje etj.); të ketë faturë të fiskalizuar për blerjen e farës dhe plehrave kimike.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural synon të mbështesë fermerët për të ulur kostot e prodhimit dhe të shtojë sipërfaqet e kultivuara me grurë.

Afati i fundit për të aplikuar është data 23 shtator. Aplikantët mund të asistohen nëpërmjet numrit jeshil 08008383, nga specialistët e Agropikave dhe Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në territor.

Që prej datës 1 shtator që është çelur thirrja për aplikime e deri më sot, 2 652 fermerë kanë aplikuar nga veriu në jug, për një sipërfaqe prodhimi prej 17,242.81 hektarë.