KESHILLA/ Mësoni se si të nisni një biznes teksa punoni me kohë të plotë

23

Gjithmonë e më shumë njerëz, duke përfshirë edhe ata që punojnë me kohë të plotë, po shfaqin interes për sipërmarrjen. Nëse aktualisht jeni i punësuar diku dhe dëshironi të nisni biznesin tuaj, lënia e punës nuk do të ishte një ide e mirë.

Në vend të kësaj, është më mirë të nisni biznesin tuaj ndërkohë që vazhdoni të jeni i punësuar diku. Referojuni këtij artikulli për të mësuar se si të nisni një biznes teksa punoni me kohë të plotë.

  1. Identifikoni dëshirën tuaj për të nisur një biznes

Doni vërtet që të nisni biznesin tuaj, apo është thjesht një dëshirë e ҫastit? Përpara se të filloni ta konsideroni seriozisht hapjen e një biznesi, duhet të siguroheni që dëshironi vërtet të bëheni pjesë e një sipërmarrjeje të tillë.

Të jesh sipërmarrës do të thotë të jesh përgjegjës për të gjitha vendimet e vështira që duhen ndërmarrë. Shkruani të gjitha veprimtaritë që duhet të bëni si pronar i një biznesi dhe llogarisni kohën që duhet t’i dedikoni kësaj sipërmarrjeje. Gjithashtu, konsideroni edhe sakrificat që duhet të bëni dhe mendoni nëse ia vlen që të nisni një biznes apo jo.

  1. Zgjidhni një ide biznesi të përshtatshme dhe ligjore

Fillimi i një biznesi teksa jeni i punësuar në një kompani tjetër ka disa rreziqe të shtuara. Rishikoni kontratat, kushtet dhe detyrimet, ose çdo dokument tjetër të punësimit që keni firmosur, në mënyrë që të kontrolloni nëse ju lejohet që të jeni pjesë e një biznesi ndërkohë që jeni i punësuar me kohë të plotë.

Edhe nëse këto dokumente nuk përmbajnë ndonjë kufizim të tillë, është më mirë që të mos ndërmerrni një biznes që mund të kishte konflikt interesi me punën tuaj aktuale.

  1. Vlerësoni aftësitë dhe disavantazhet tuaja

Kur mendoni për një ide biznesi, duhet të zbuloni gjithashtu pikat tuaja të forta dhe të dobëta. Zgjidhni një biznes ku mund të përdorni aftësitë tuaja, i cili nuk lidhet me pikat e dobëta që keni.

Për të zbuluar pikat e forta, ato të dobëta, mundësitë dhe rreziqet që vijnë nga një ide biznesi, mund të përdorni analizën SWOT.

Do të ishte mirë që të keni disa aftësi të nevojshme në mënyrë që të realizoni biznesin tuaj të preferuar. Nëse nuk i keni këto aftësi, mund t’i identifikoni dhe t’i mësoni ato përmes kurseve të ndryshme.

  1. Vendosni objektiva të matshëm dhe realistë

Para se të filloni një biznes, duhet të jeni të qartë për atë që doni të arrini. Nëse nuk keni synime realiste dhe të arritshme për biznesin tuaj, do ta keni të vështirë të bëheni të suksesshëm.

Zgjidhni objektiva afatshkurtër e afatgjatë dhe punoni për t’i arritur ato, në varësi të llojit të biznesit tuaj.

  1. Konsideroni kostot e biznesit

Kur dëshironi të bëheni pronar i një biznesi ndërkohë që punoni me kohë të plotë në një kompani tjetër, është më e sigurt të zgjidhi një lloj biznesi që nuk ka nevojë për një investim të lartë fillestar në aspektin financiar. Kjo do t’ju mbronte nga humbjet financiare, edhe nëse biznesi nuk shkon siç prisnit.

Pavarësisht se çdo biznes mund të dështojë, bizneset që kërkojnë një kapital të madh fillestar kanë më shumë mundësi për të dështuar. Bizneset që mendoni për t’i filluar si një punë të dytë nuk duhet të kenë nevojë për zyrë, vitrinë, magazinë, punonjës ose pajisje të kushtueshme.

  1. Kurseni të ardhurat fillestare nga biznesi

Kur biznesi juaj fillon t’ju sjellë fitime, mos u bëni aq të pamatur sa t’i shpenzoni menjëherë ato ose të mendoni se është koha për ta lënë punën tuaj të zyrës. Mundohuni të kurseni pjesën më të madhe të parave që fitoni nga biznesi juaj.

Këto kursime mund t’i investoni më vonë për të rritur biznesin, ose mund t’i shpenzoni në momentin kur ky biznes të bëhet angazhimi juaj kryesor pasi të largoheni nga puna.

  1. Mos e hiqni kufirin midis punës dhe biznesit

Ndërkohë që nga njëra anë jeni duke punuar diku dhe nga ana tjetër keni një biznes, duhet të keni parasysh se të dyja këto angazhime janë përgjegjësitë tuaja. Në të njëjtën kohë, duhet të bëni një ndarje të qartë midis këtyre dy profesioneve. Asnjëherë nuk duhet të punoni për biznesin tuaj gjatë orarit të punës dhe nuk duhet të përdorni sistemin e kompanisë apo ndonjë burim tjetër.

Gjithashtu, mësoni të thoni “jo” sa herë që është e nevojshme. Mos pranoni çdo mundësi që ju del gjatë rrugës. Zgjidhini klientët tuaj me kujdes, në mënyrë që biznesi të mos t’ju pengojë në punën tuaj në zyrë.