Këshilla/ Si të kuroni gripin në kushte shtëpie?!

31

Ndryshimi i stinëve, njëkohësisht dhe ndryshimi i motit shoqërohet gjithashtu dhe me epidemi të ndryshme. Së fundmi, dhe vendi ynë është prekur nga një epidemi, simptomat e së cilës, janë temperatura e lartë, dhimbje koke, rënia e imunitetit, rrufë si dhe të vjella. Nëpërmjet këtij artikulli, ju vijmë në ndihmë me disa këshilla se si të kuroni veten, përpara se të kërkoni ndihmën e mjekut.

Pini ujë dhe lëngje

Pirja e ujit dhe lëngjeve të tjera është e rëndësishme kur keni grip. Uji ndihmon që të hiqni qafe mukozën e grumbulluar dhe lehtëson kollën. Diarreja dhe ethet (simptoma të zakonshme të gripit) shkaktojnë gjithashtu dehidratim. Por, përpos ujit, mund të konsumoni çarja bimorë, lëngje frutash si dhe lëng perimesh.

Përpiquni të pushoni

Është me rëndësi që të pushoni sa dhe si duhet gjatë kohës që jeni me grip. Duhet të flini mjaftueshëm, pasi gjumi ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe kjo ndihmon trupin të luftojë virusin.

Konsumoni supë pule/perimesh

Supa e lëngut të pulës ose perimeve është një mënyrë e mirë për t’ju ndihmuar që të qëndroni të hidratuar. Ajo ndihmon gjithashtu për të zhbllokuar hundët e bllokuara si edhe parandalon sinuset. Supa e lëngut të pulës është e pasur me proteina dhe minerale, si natriumi dhe kaliumi.

Merrni mjaftueshëm zink

Zinku është mineral i rëndësishëm për sistemin imunitar sepse ndihmon trupin që të prodhojë qeliza të bardha të gjakut, të cilat luftojnë mikrobet. Hulumtimet tregojnë se zinku mund të lehtësojë simptomat e ftohjes dhe gripit. Zinkun mund ta merrni nëpërmjet ushqimeve, duke konsumuar kryesisht mish, thjerrëza, arra, fasule apo vezë, por gjithashtu mund ta gjeni dhe në formën e tabletave në farmaci.

Pini çarja bimorë

Çajrat bimorë kanë veti antibakteriale dhe luftojnë viruset. Çajrat që këshillohen më së shumti të konsumohen, janë çaj jeshil ose i zi, çaj menteje si dhe mbreti i çajrave, ai i limonit. Për ta bërë më të shijshme shijen e tyre, dhe njëkohësisht dhe më të shëndetshme mund t’i shtoni mjaltë, karafil apo shafran.

Konsumoni ushqime të lehta

Gjatë kohës që jemi me grip, zakonisht ikën dhe dëshira për të konsumuar ushqim pasi stomaku është më i ndjeshëm. Për të ndihmuar stomakun tuaj, që ta kryeje më lehtë procesin e tretjes, sigurohuni që të konsumoni ushqime të lehta, si frutat ( banane, mollë), drithëra dhe perime të ziera, supra  të ndryshme ose mish pule. Përpiquni të shmangni produktet si; qumështi, djathi, ushqimet e skuqura ose pikante, mishin e kuq si dhe kafeinën.

Dhe së fundmi, kujdesuni për ajrin në ambientin ku qëndroni!

Gripi, dhe çdo virus tjetër përhapet dhe jeton më gjatë në ajër të thatë. Tregoni kujdes me pajisjet që përdorni për t’u ngrohur, të cilat thajnë ajrin dhe përpiquni që ta ajrosni ambientin herë pas here duke hapur dritaret ose dyert.