Kultura arbëreshe bëhet pjesë e guidave turistike italiane

17

Në udhëzuesin e ri të Komunës së Civita-s, për promovimin turistik të saj, zënë vend të rëndësishëm elementet e kulturës materiale dhe jomateriale arbëreshe, të cilat u ofrohen turistëve si asete me vlera të veçanta.

Ky botim i ri informues është realizuar në kuadër të projektit:

“Të kujtojme të shkuarën për një të ardhme më të mirë”. Civita që ndryshe quhet edhe “vendi i shkëmbinjve”, në udhët drejt bukurive natyrore të tij ka shumë qetësi, që imponohet edhe nga “heshtja e gurëve antikë”, ka potenciale të mëdha turistike që lidhen me historinë, vlerat artistike dhe me traditat, zakonet, ngjyrat, gatimet, mëyrën e jetesës së banorëve të tij arbëreshë.

Vitet e fundit kjo zonë ka patur shumë vizitorë, dhe në udhëzuesin e ri janë përfshirë intinerare të shumta turistike, fakte historike, kalendari i festave popullore, emërtimet e traditës fetare, e deri tek veçoritë e ushqimit dhe verës. Historia e komunitetit arbëresh që e popullon zonën, u “flet” vizitorëve edhe nëpërmjet arkitekturës karakteristike të shtëpive prej guri, të cilat krijojnë një stil të fortë mesjetar.

Shtatë nga këta banesa njihen me emrin “Case Kodra” (shtëpitë Kodra), të ashtuquajtura në kujtim të artistit shqiptar Ibrahim Kodra, i cili i përfshiu në punimet e tij artistike në disa tablo të njohura.