Lehtësi për shoferët/ Ndërrimi i pronësisë, mjeti nuk t’i nënshtrohet përsëri kontrollit fizik

22

Mbi 60 mijë mjete në vit paraqiten për kontroll fizik kur ndërrojnë pronësinë e mjetit. Kjo procedurë kërkon prezencën e mjetit dhe një kohë (radha+kontrolli) që varet nga fluksi ditor, afërsisht 30 minuta.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se certifikata e kolaudimit e lëshuar nga DPSHTRR e bën të panevojshme që mjeti t’i nënshtrohet përsëri kontrollit fizik.

“Falë marrjes në administrim sivjet të kontrollit teknik, sistemet informatike ndërveprojnë ndaj certifikata e kolaudimit e lëshuar nga DPSHTRR e bën të panevojshme që mjeti t’i nënshtrohet përsëri kontrollit fizik”, informoi DPSHTRR.

Sipas DPSHTRR, në këtë mënyrë eliminohen duke nisur nga viti 2022 mbi 60 mijë praktika kontrolli fizik në vit.

“Thjeshtojmë procedurat, duke liruar kapanonet nga radhët e duke ndihmuar për një shërbim më të shpejtë për të gjithë, ulim kohën e shërbimit të Ndërrimit të Pronësisë me rreth -30 min, ulim koston e këtij shërbimi me -1,500 lekë më pak. U kursejmë qytetarëve në total 90 milionë lekë në vit si dhe 30 mijë orë pritjeje në vit” bën të ditur DPSHTRR.