Lushnjë-Fier/ Rreth 5400 tonë produkte bujqësore u eksportuan në dy javët e para të majit

24

420 trajlerë me rreth 5360 tonë produkte bujqësore në total u eksportuan gjatë dy javëve të para të muajit maj 2021, nga qendra kryesore e grumbullimit bujqësor Lushnjë-Fier, drejt 28 shteteve të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe, kanë dominuar eksportet e perimeve të freskëta ku dominojnë trangujt, domatet, specat, lakrat, kungujt, që kanë zënë 80 % të totalit të eksporteve bujqësore.

Ekspertët shprehen se prodhimi në serra vijon të favorizojë eksportet e para, prodhimi i të cilave vijon e rritet gjatë javëve në vijim.

Ndërsa investimet në serra, qendra grumbullimi frigoriferike e kanë sjellë bujqësinë vitet e fundit, për herë të parë, në stadin e eksporteve me rritje progresive 12-mujore.

Sipas tyre, fermerët po kultivojnë prodhime të orientuar nga kërkesa e tregut ndaj dhe eksportet vijojnë trendin e rritjes së qëndrueshme.

Në 4-mujorin e parë të këtij viti eksportet e produkteve bujqësore u rritën në 13,026 milionë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet bujqësore u rritën me 2.272 milionë lekë.