Magjia e avokados, burimi i 11 vitaminave dhe 17 mineraleve

92

Shkencëtarët kanë zbuluar që avokado përmban të paktën 11 vitamina dhe 17 minerale duke e cilësuar atë si frutin më plotësues të nevojave ushqimore të njeriut. Avokado ka një përmbajtje të lartë vajore të vitaminave A, D dhe E. Fruti është gjithashtu i pasur me acidin oleik mono-tëpangopur dhe funksionon njëlloj si vaji i mirë i ullirit madje po fiton vëmendje në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Lëngu i avokados është shumë i shijshëm, por vlerat e tij shumëfishohen në aplikimet e jashtme në lëkurë. Lëngu i avokados është një mënyrë e mirë për të shfrytëzuar vlerat e vajit të lartpërmendur, që ka aftësi të larta penetruese dhe mirëbërëse në lëkurën e njeriut.

Vaji i avokados është shumë i sigurt dhe nuk shkakton probleme në lëkurë. Ai përbën kurën ideale për të qetësuar lëkurat e ndjeshme. Avokado pakëson efektet e rrezeve ultra vjollcë dhe është mjaft i dobishëm nëse përdoret në locionet kundër diellit. Më poshtë do të gjeni disa receta mjaft interesante për të përfituar maksimalisht nga lëngu i avokados vlerat e të cilit shumëfishohen nga kombinimet në vijim.

Lëng avokado dhe domateje

Ky lëng është mjaft efikas në betejën kundër radikaleve të lira. Yndyrnat mono-tëpangopura që gjenden tek avokado përmirësojnë përthithjen e karotenoidit që lufton radikalet e lira dhe likopenit që gjendet tek domatet. Përbërësit që nevojiten janë: 1 avokado e qëruar dhe e prerë në copa; 4 domate mesatare të prera në copa; 1 tufë me majdanoz të freskët; Spec djegës i kuq pluhur; Lëngu i një gjysmë limoni; Piper i zi (sipas dëshirës). Përzieni copat e avokados, domateve dhe majdanozit në një mikser. Shtoni erëzat djegëse dhe pijeni menjëherë që të mos oksidohet.

Lëngu i karrotës, portokallit dhe avokados

Ky lëng i shëndetshëm dhe shumëngjyrësh do t’ju ndihmojë të përthithni shumë antioksidantë dhe yndyra të shëndetshme të cilat do t’ju mbrojnë nga disa sëmundje. Lëngu ofron 10.2 g yndyra, 5.3 g fibër dietike, 2.4 g proteina, 23.1 g karbohidrate dhe 183 kalori. Përbërësit janë: ¼ e një avokado të qëruar dhe të prerë në copa; Gjysmë gote me lëng portokalli; 1 karotë e qëruar dhe e grirë; Gjysmë gote me ujë. Përzieni në një mikser të gjithë përbërësit deri sa lëngu të jetë i njëtrajtshëm dhe në fund hidhni karotat e grira hollë.

Lëng me avokado, mollë, shegë, karotë dhe xhenxhefil

Ky lëng pikant dhe i ëmbël në të njëjtën kohë është ideal për të ulur nivelin e kolesterolit të keq. Shega e pasur me antioksidantë, pjesë e këtij lëngu, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës te njerëzit që vuajnë nga kolesteroli i lartë dhe trigliceridet. Përbërësit që nevojiten janë: 1 avokado e qëruar dhe e prerë në copa; Një copë (2 cm) xhenxhefil; 3 karrota të prera në copa; 1 mollë e prerë; Lëngu i një shege. Përzieni në një mikser avokadot, karrotat dhe mollën. Bluajeni xhenxhefilin në një enë të veçantë. Shtoni lëngun e shegës tek mikseri ku keni hedhur avokadon dhe përzieni deri sa lëngu të jetë i njëtrajtshëm. Shtoni xhenxhefilin pluhur dhe konsumoheni menjëherë.