Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për t’i siguruar tekste falas nxënësve nga pakicat kombëtare.
“Nxënësve të arsimit bazë të pakicave kombëtare, të cilët mësojnë dhe/ose mësohen në gjuhën e pakicës kombëtare, u sigurohen tekstet shkollore falas,”-thuhet në njoftim.
Vendimi u mor me propozimin e ministres të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Gjithashtu do ndërmerret nisma për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare, ku mësuesit do të marrin trajnimin dhe zhvillimi profesional të nevojshëm për zhvillimin e mësimit.
Sipas vendimit: “Për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare, kryetari i bashkisë dhe titullari i njësisë përkatëse arsimore vendore, pas konsultimit me përfaqësues të pakicave kombëtare, do i paraqesin propozimin përkatës ministrit përgjegjës për arsimin. Propozimi për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare në institucionet arsimore parauniversitare publike shoqërohet me studimin mbi argumentimin e domosdoshmërisë së hapjes së klasave me nxënës të pakicave kombëtare, si dhe me kontributin e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe paraqitet jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj para fillimit të vitit mësimor.”