Miratohet vendimi/ Zero lekë TVSH për bizneset deri në 10 milionë lekë xhiro

10

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për të rritur pragun e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 2 milionë lekë në 10 milionë lekë.

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave vendosi për disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Këshilli i Ministrave vendosi që kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1 janar 2021.

Ky ndryshim ishte paralajmëruar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila ka theksuar se “biznesi i vogël për 10 vitet e ardhshme nuk do të ketë tatimfitim dhe pragu i TVSH-së është rritur nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 10 milionë lekë xhiro në vit”.