Nëna dhe foshnja kalojnë rrezikun për jetën falë mjekëve në “Mbretëresha Geraldinë”

2

Një nënë 38-vjeçare me komplikacione në zemër ka shpëtuar nga rreziku për jetën bashkë me fëmijën e saj, falë ndërhyrjes në kohë dhe punës së shkëlqyer të ekipit mjekësor të Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Në sajë të bashkëpunimit të mjekëve obstetër-gjinekologë, kardiologë dhe reanimatorë, 38-vjeçarja që u operua me sukses nga ekipi me Dr. Zef Delia, Dr. Lorenc Buzo, Dr. Fatmir Kopani, Dr. Albert Cakani, infermieret Klea Fraholli dhe Eranda Tore, sot gëzon shëndet bashkë me të voglin e saj.

Dr. Zef Delia informoi se pacientja erdhi nga Shkodra me një gjendje relativisht të rëndë shëndetësore, me një ndërhyje të rëndësishme në zemër që është zëvendësimi i valvulës mitrale me protezë mekanike prej 19 vitesh.

“Situata prej të cilës trajtohej për probleme të zemrës dhe shtatzania e rëndoi situatën. Spitali i Shkodrës e solli për trajtim të specializuar. Pacientja u fut në sallë në kushte urgjence dhe në sajë të përpjekjes dhe masave të stafit të spitalit e mjekëve, lindi një bebe që gëzon shëndet të mirë. Situata shëndetësore ka ardhur në përmirësim dhe ajo ka dalë jashtë rrezikut për jetën”, tha ai.

Ndërsa mjeku Lorenc Buzo u shpreh se rasti ka qenë në vëzhgim të rreptë mjekësor në kushtet e reanimacionit.

“Pacientja pati disa probleme, vështirësi në frymëmarrje dhe ne gjetëm kohën më të mirë për të bërë ndërhyrjen. Kemi bërë një punë të suksesshme, pacientja dhe bebi janë shumë mirë”, tha ai.

/ata.gov.al