Lumi Vjosa, Parku Kombëtar unik për Shqipërinë dhe Europën

1

Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë është shpallur Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), në bazë të së cilit, Lumit Vjosa-Aoös, nga burimi i tij deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare.

Vjosa, do të jetë një Park Kombëtar unik për Shqipërinë po edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.

Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore si prodhimtaria bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe diversiteti i peshqve është jetik për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Eko-turizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not.

Vjosa do të ruhet si një lumë natyror, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës. Ky është rezultat i një bashkëpunimi unik midis Qeverisë Shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, OJQ-ve mjedisore nga fushata Save the Blue Heart of Europe, IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe kompanisë së veshjeve të jashtme Patagonia.

Vjosa dhe degët e saj kryesore derdhen lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri.

Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN.

Parku Kombëtar i lumit të egër Vjosa lehtëson zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet lumi si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.

Gjatë nëntë muajve të fundit, një punë e gjithëpërfshirëse në terren dhe analiza të thella janë kryer nga një ekip prej mbi 30 ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë në fusha të tilla si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare , legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor. Konsultimet me grupet e interesit, si dhe komunikimi me publikun, janë përfshirë gjithashtu në proces.

Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare po fillon një proces të përbashkët me qeverinë greke për krijimin e parkut ndërkufitar Aoös-Vjosa, duke synuar nivelin më të lartë të mbrojtjes për të gjithë lumin, nga burimi në det, në të dy vendet.

/ata.gov.al