Nis zbatimi i marrëveshjes/ Saimiri, rezident në Gjermani konverton patentën

23

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan në mesin e këtij muaji marrëveshjen për konvertimin e patentës shqiptare me atë gjermane pa iu nënshtruar testimeve përkatëse.

Tashmë marrëveshja ka nisur të zbatohet dhe qytetarët shqiptarë po bëjnë konvertimin e patentave. Saimiri, rezident në landin e Bavarisë, në Ingolstadt, është njëri prej tyre. Ai kreu procedurat e konvertimit të lejes së drejtimit në qytetin ku jeton. DPSHTRR i nisi palës gjermane konfirmimin e vlefshmërisë së lejes shqiptare të drejtimit dhe mbi këtë bazë ai ka tërhequr lejen gjermane të drejtimit.

Gjermania nuk është vendi i vetëm që ka njohur dhe vlerësuar progresin e Shqipërisë në këtë sektor.

Aktualisht Shqipëria ka lidhur marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjelltë dhe konvertimin e lejes së drejtimit me Greqinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë dhe Emiratet e Bashkuara. Janë në proces marrëveshjet me Spanjën, Bosnjë-Hercegovinën, Turqinë dhe Arabinë Saudite. Belgjika, Rumania, Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Austria e njohin dhe konvertojnë lejen e drejtimit shqiptar pa marrëveshje.

Gjatë harkut 2019-2021 më shumë se 15 mijë shtetas shqiptarë kanë konvertuar lejet e drejtimit në shtetet ku ata punojnë dhe jetojnë, falë këtyre marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria shqiptare me vendet partnere.