Një shqiptare në Bankën Botërore/ Njihuni me Ornellën, doktoranten në SHBA

521

Ornella Darova, doktorante pranë Universitetit të Pennsylvanias, konsulente për Bankën Botërore për rritjen e firmave në Ballkanin Perëndimor, dhe konsulente për OECD mbi çeshtjet e rregullimit dhe konkurrencës në ekonomi.

Një histori padyshim suksesi dhe një vajzë shqiptare me arritje të mëdha

NJË SHQIPTARE KONSULENTE PËR BANKËN BOTËRORE

“Ornella është një vajzë shqiptare dhe italiane që adhuron historinë shqiptare dhe ka një lidhje shumë të fortë me të. Kam lindur në Itali, ku edhe kam studiuar, dhe jam diplomuar në ekonomi pranë Universitetit Bocconi. Gjatë masterit kam marrë pjesë në disa projekte shkencore në vende të Afrikës Subsahariane. Kam punuar në Ugandë dhe Sierra Leone duke u specializuar në ekonominë e zhvillimit. Pas masterit jam punësuar pranë Bankës Botërore pikërisht për një projekt në Ballkanin Perëndimor duke patur bazën në Shqipëri: për mua ishte një kënaqësi e madhe profesionale dhe gjithashtu personale të punoja për të shpejtësuar rritjen ekonomike të vendit tim të origjinës.

Pas kësaj eksperience fillova doktoraturën pranë Universitetit e Pennsylvania, dhe momentalisht jam në vitin e tretë. Jam sërish konsulente për Bankën Botërore per një projekt mbi rritjen e firmave në Ballkanin Perëndimor, dhe jam gjithashtu konsulente për OECD mbi çeshtjet e rregullimit dhe konkurrencës në ekonomi. Në Amerikë fillohet pikërisht në vitin e tretë zhvillimi i kërkimit shkencor autonom nga kandidatët për doktoraturë: momentalisht, po përqendrohem mbi tematikat e lidhura me diversitetin gjinor dhe etnik në kontekste arsimore ose profesionale, por mendoj se sëshpejti do të zhvilloj edhe një ide mbi tregun e punës në Shqipëri”, ka deklaruar ajo për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York