Nobeli i Ekonomisë, shkon për dy ekspertë amerikanë

120

Akademia mbretërore suedeze e Shkencave ka vendosur të vlerësojë me çmimin Nobel për shkencat ekonomike për këtë vit dy ekspertë amerikanësi William D. Nordhaus dhe Paul M. Romer.

Nordhaus është vlerësuar për “integrimin e ndryshimeve klimatike në analizat afatgjate makroekonomike”, ndërkohë që Romer nderohet me këtë çmim për “integrimin e inovacioneve teknologjike në analizat afatgjate makroekonomike”.

Të dy ata kanë hartuar metodat për adresimin e disa prej pyetjeve më themelore dhe më të ngutshme të kohës, për mënyrën sesi të krijojmë një zhvillim afatgjatë, të pandërprerë dhe të qëndrueshëm ekonomik.

Në thelb, ekonomiksi merret me menaxhimin e burimeve të rralla. Natyra dikton kufizimet kryesore në rritjen ekonomike, ndërsa dija përcakton sesi dhe sa mirë përballemi ne me këto kufizime.

Laureatët e këtij viti, Nordhaus dhe Romer kanë thelluar ndjeshëm fushën e analizës ekonomike, duke ndërtuar modele që shpjegojnë sesi ekonomia e tregut ndërvepron me natyrën dhe njohuritë.