Old Trafford krijon një hapësirë për njerëzit me aftësi të kufizuara

264

Manchester United ka vendosur të spostojë 2600 tifozë të abonuar me synimin për të krijuar 300 vende të reja për tifozët me aftësi të kufizuara. Siç bën të ditur Daily Mail, klubi ka si synim të rrisë komfortin e të gjithë tifozëve në stadiumin Old Trafford dhe kjo zgjedhje i shkon për shtat këtij vendimi.

Manchester United bëri të ditur qëllimin se do t’i përfundojë punimet brenda sezonit të ardhshëm. Personat e abonuar në këto zona do të spostohen në harkun e tre viteve, për ta bërë sa më të thjeshtë këtë ndryshim.

Zlatan Ibrahimovic dhe Wayne Rooney do të jenë të përzgjedhurit e klubit si përfaqësues për fushatën #allredallequal, të organizuar për të promovuar planet e reja të klubit në Old Trafford.

Richard Arnold, administrator i deleguar i Manchester United është krenar që do të çojë përpara këtë nismë. “Old Trafford duhet të jetë një shtëpi për të gjithë të pasionuarit e Manchester United. Këto ndryshime do t’u japin mundësinë shumë tifozëve për të ndjekur nga afër idhujt e tyre. Jemi duke punuar në këtë drejtim prej 25 vitesh dhe do të vijojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Vitet e fundit janë krijuar hapësira për të lejuar njerëzit me aftësi të kufizuara të qëndrojnë pranë miqve dhe të afërmve”.

Arnold duket se kupton edhe vështirësitë që do të sjellë ky ndryshim për gjithë ata që do të duhet të ndryshojnë vendin e tyre. “E dimë që shumë të tifozë të abonuar e kanë të përcaktuar vendin e tyre prej dekadash dhe kjo zhvendosje do të jetë një sakrificë. Por e dimë gjithashtu se pjesa më e madhe do ta mirëkuptojë dhe do ta mbështesë këtë nismë. Jemi të angazhuar të gjejmë një vend të ri për çdo anëtar në një zonë ekuivalente”.

Nuk është hera e parë që klubi i Manchester United spikat për vëmendjen e treguar për personat me aftësi të kufizuara. Në vitin 2003 ‘Djajtë e Kuq’ kanë marrë një çmim për përpjekjet e bëra për t’i bërë portalet të aksesueshme nga njerëzit e verbër. Sajti i Red Devils paraqet elemente të dukshme përmes një sistemi lundrimi të thjeshtë dhe veçanërisht intuitiv.